Zgjedhjet në Hungari vëzhgohen me kujdes nga Kievi dhe Moska

Zgjedhjet në Hungari vëzhgohen me kujdes nga Kievi dhe Moska

Bota April 11, 2026 - 18:15

Hungarezët votojnë në zgjedhjet parlamentare më 12 prill, teksa lufta vazhdon në Ukrainën fqinje dhe raportet e Qeverisë hungareze me Rusinë janë nën kritika të ashpra.

Sondazhet sugjerojnë se pas 16 vjetësh në pushtet, kryeministri Viktor Orban, mund të humbë pushtetin dhe zgjedhjet t’i fitojë udhëheqësi i opozitës, Peter Magyar. Por, Orbani në të kaluarën i ka sfiduar sondazhet.

Rezultati i zgjedhjeve jo vetëm që do të vëzhgohet nga afër në Kiev dhe Moskë. Raportet e trazuara të Hungarisë në shumë shtete në Bashkimin Evropian nënkuptojnë që vendet e BE-së po ashtu janë të interesuara për rezultatin e votimeve, teksa Uashingtoni ka shprehur mbështetje të fortë për Orbanin.

Si anëtar i BE-së, ai ka arritur të bllokojë apo zbusë shumë vendime të BE-së për sanksionet ndaj Rusisë, pasi Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022. Po ashtu ka penguar disa vendime për mbështetjen e BE-së për Ukrainën.

Së voni, ai ndaloi një kredi në vlerë prej 90 miliardë eurosh për Kievin për vitin 2026 dhe 2027, për të cilën fillimisht udhëheqësit e BE-së u pajtuan në dhjetor të vitit 2025. Muajin e kaluar, policia hungareze sekuestroi dy furgonë që po transportonin mbi 80 milionë dollarë para kesh dhe nëntë kilogramë shufra të arit, si dhe shtatë shtetas ukrainas, të cilët ishin nisur nga Austria për në shtetin e tyre, në atë që u konsiderua si transport i rregullt i instrumenteve monetare.

Këto hapa ndodhën pasi Orbani e akuzoi Ukrainën për ndalim të dërgesave të naftës ruse përmes tubacionit Druzhba. Ukraina tha se tubacioni u dëmtua nga sulmet ajrore ruse dhe riparimet marrin kohë.

Të gjitha këto çështje kanë ndikuar në fushatën zgjedhore, ashtu si edhe bisedat telefonike që kanë dalë në publik, në të cilat ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, dukej se informonte homologun e tij rus, Sergei Lavrov, mbi takime të nivelit të lartë të BE-së.

Pasi fillimisht e mohoi, kryediplomati hungarez më pas konfirmoi se ai jo vetëm që flet me kolegët rusë para dhe pas takimeve të BE-së, por po ashtu edhe me homologët nga Izraeli, Serbia, Turqia dhe SHBA-ja. /REL