Trumpi konfirmon bllokimin e porteve iraniane
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara do të krijojnë një bllokadë që ua pamundëson anijeve hyrjen dhe daljen prej porteve iraniane.
Sipas tij, bllokada do të funksionalizohet më 13 prill, në orën 10:00, sipas kohës lindore.
Duke e bërë të ditur lajmin për bllokadë, Komanda Qendrore e SHBA-së, e cila është përgjegjëse për të gjitha forcat ushtarake amerikane në Lindje të Mesme, ka thënë se bllokada do të vlejë ndaj anijeve të të gjitha shteteve “pa asnjë dallim”, dhe kështu ato nuk do të mund të hyjnë dhe as të dalin prej porteve iraniane dhe brigjeve detare në “Gjirin Arab” – të njohur edhe si Gjiri Persik – si dhe Gjirin e Omanit.
Komanda Qendrore nuk ka dhënë më shumë hollësi për bllokadën, përfshirë të dhënat se sa anije amerikane do të angazhohen në këtë drejtim, por vetëm që do të vlejë për anijet që synojnë të hyjnë dhe dalin nga Irani.
Prej nisjes së konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, në njërën anë, dhe Iranit, në anën tjetër, Teherani e ka bllokuar gjithë trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit, duke ndikuar në rritje të mprehtë të çmimeve të energjisë.
Irani ka bërë të ditur edhe se do të nisë të vendosë taksë për anijet që synojnë të kalojnë nëpër atë ngushticë jetike për furnizimet globale me naftë.
Njoftimi prej SHBA-së ka ardhur pas dështimit të bisedimeve me palën iraniane për t’i dhënë fund luftës së nisur më 28 shkurt.
Nënpresidenti amerikan, JD Vance e ka udhëhequr delegacionin amerikan në negociatat që kanë zgjatur mbi 21 orë në Islamabad të Pakistanit.
“Lajmi i keq është që nuk kemi arritur një marrëveshje. Mendoj që është lajm më i keq për Iranin sesa që është lajm i keq për SHBA-në”, ka thënë ai shkurt për mediat pas përfundimit të takimit.
Ambiciet bërthamore të Iranit besohet t’i kenë dominuar bisedimet, ndonëse Vance ka thënë se në agjendë kanë qenë edhe çështje tjera madhore, përfshirë ngrirjen e aseteve dhe tensionet më të gjera në Lindje të Mesme. /Rel