Hungaria shuan televizionin publik, që ishte kapur nga Orbani

Hungaria shuan televizionin publik, që ishte kapur nga Orbani

Bota July 07, 2026 - 13:41

Parlamenti hungarez ka votuar për reformimin e medias publike në vend, gjë që përfshin shpërbërjen e MTVA-së, transmetuesit aktual publik hungarez.

Parlamenti hungarez miratoi javën e kaluar një reformë të madhe në media që ristrukturon plotësisht sistemin e medias publike të vendit. Projektligji u prezantua nga Partia Tisza, partia aktuale në pushtet dhe u miratua me 145 vota pro dhe 39 kundër.

MTVA dhe Duna Média Service do të zëvendësohen nga dy organizata të reja; Magyar Rádió és Televízió (Radio dhe Televizioni Hungarez) dhe Magyar Távirati Iroda (Zyra Telegrafike Hungareze). Udhëheqja aktuale e MTVA dhe Duna Média Service do të largohen. Drejtuesit e rinj do të përzgjidhen me konkurs të hapur në vend të emërimeve të drejtpërdrejta, transmeton Zeri.info.

Reforma krijon gjithashtu një Këshill të Pavarur të Medias Publike për të mbikëqyrur sistemin dhe një Fond të ri për Shtypin për të mbështetur gazetarinë e pavarur përmes granteve.

Péter Magyar, kryeministri aktual i Hungarisë, deklaroi se një nga premtimet e tij zgjedhore ishte pezullimi i shërbimeve të lajmeve të medias publike derisa të formohej një organizatë e re. MTVA dhe Duna Média Service u formuan në vitin 2011 nën qeverinë e Viktor Orbán, i cili ishte kryeministër i Hungarisë për 16 vjet, si një bashkim i transmetuesve publikë Magyar Televizió, Magyar Radioó dhe Duna Média, dhe agjencisë së lajmeve Magyar Távirati Iroda. MTVA dhe Duna Média Service u akuzuan të dyja se kishin rënë shumë nën kontrollin e qeverisë. /Zëri