Rrëfimi i motrës së Adem Demaçit për sakrificën që duhet të bënin për ta takuar atë në burgjet jugosllave
Motra Ajshe me Ademin e posaliruar nga burgu

Rrëfimi i motrës së Adem Demaçit për sakrificën që duhet të bënin për ta takuar atë në burgjet jugosllave

Dosier April 01, 2024 - 17:06

Adem Demaçi është ndër emrat më të rëndësishëm në Kosovë të përpjekjeve paqësore për liri dhe për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës brenda ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, i cili për veprimtarinë e tij mbajti 28 vjet burg.

Përveç tij, nga veprimet agresore të ish-Jugosllavisë prekeshin edhe familja e tij, shkruan Zeri.info.

Motra e Demaçit në një intervistë të dhënë për revistën “Kosovarja” në vitin 1991 kishte rrëfyer për sakrificën dhe rrugën që duhet të bënin për ta takuar atë në burgjet jugosllave.

Ky është rrëfimi i plotë i motrës së Demaçit:

“Ishte Ademi në Pozharevc e ne morëm rrugën me tren. Tërë natën qëndruam në koridor. Ishte tollovi e madhe. Disa që na panë se ishim shqiptarë, thoshin: "çile derën, t'i gjuajmë poshtë".

Nëna, meqë nuk dinte serbisht, nuk i kuptonte, por edhe nuk dëgjonte mirë sepse ishte plakur mjaft. Më pyeti se ç'po thoshin, pasi e pa se flitnin për ne. I thashë se po thonë t'ua Iëshojmë rrugën.

Të molisura arritëm në Pozharevc, por më mirë të mos kishim arritur fare. Aty na vunë kusht: në duam ta shohim Ademin, duhet të flasim serbisht. O zot, po si të flasim serbisht kur kemi gjuhën tonë. Unë dija ndonjë fjalë, po nëna s'dinte asnjë fjalë. Natyrisht, nuk u pajtuam. Bile edhe shumë vizitorë të të burgosurve të tjerë shqiptarë. Dhe u detyruam të ktheheshim në shtëpi pa u parë me të dashurit tanë që po na mbanin të mbyllur. Pak u dukej kjo, po edhe në gjuhë të tyre donin t'u flisnim.

U kthyem me zemra të thyera. Nëna, si nënë më, u pikëllua thellë. Tërë rrugën kishte parafytyruar si do ta përqafonte të birin, si do ta puthte në dy faqet e në ballë. E, në vend të të birit, e pritën rojet e ftohta, të cilët as i merrte vesh se ç'thoshin, pos që na përkthenin të tjerët që dinin pak më shumë. Prej atëherë nëna sikur mori teposhtëzën. Nuk pati më forcë e as dëshirë të jetonte. Çdo ditë e re e shkrinte edhe më shumë.

Mbas shtatë muajsh, në natën e Bajramit, na erdhi një kartolinë. Na njoftonin se mund të shkonim ta vizitonim Ademin dhe të flisnim shqip. I thashë nënës se mund të shkonim ta vizitonim. Mirëpo ajo e kishte hetuar se nuk ishte më ajo që kishte qenë dikur.

Më tha: "Unë nuk mundem, vdes në tren e çka bën ti?! Pastaj, vëlla nuk ke, kurrkënd nuk ke, vetëm të bëj telashe".

Dhe kurrë më nuk mundi ta shihte Ademin. Vdiq me mallin e tij. Zemra e saj e di se sa është përvëluar për të”.