Më 29 maj përurohet autostrada ‘Arbën Xhaferi’, Haradinaj: Vepra më e mirë në Ballkan

Më 29 maj përurohet autostrada ‘Arbën Xhaferi’, Haradinaj: Vepra më e mirë në Ballkan

Ekonomia maj 14, 2019 - 13:25
Lexoni detajet

Autostrada “Arbën Xhaferi” do të hapet më 29 maj, dhe ceremonia e lëshimit të saj bëhet po këtë ditë në orën 11:00. Kështu e ka njoftuar kabinetin qeveritar ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

Për projektin e kësaj autostrade, kryeministri Ramush Haradinaj tha në mbledhjen e qeverisë, se ishte mjaft i vështirë, por e konsideroi atë si veprën infrastrukturore prej më të mirave që ekzistojnë në Ballkan.

“E kemi caktuar edhe datën, janë të informuar institucionet e vendit, edhe presidenti edhe kryeparlamentari, Parlamenti. Kam informuar edhe kryeministrat fqinjë, kryeministrin Zaev, kryeministrin Rama, kryeministrin Markoviq, nëse eventualisht kanë kohë të na bashkohen. Urojmë Kosovës përmbylljen e këtij projekti me rëndësim, është një përmbyllje e një projekti boll të vështirë, por një vepër infrastrukturore ndër më të mirat që ekzistojnë në Ballkan”, tha ai.

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj tha se është një projekt gjigant dhe se është kryer një punë e shkëlqyer.

“Më 29 maj, në orën 11.00, bëhet përurimi i autostradës ‘Arbën Xhaferi’ që ka ndikim në zhvillimin ekonomik në sektorin privat dhe lidhjen e korridoreve. Atë ditë duhet të gëzohemi çdo qytetar, është bërë një punë e shkëlqyer, një projekt gjigant”, tha ai.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj tha se janë të gatshëm për mbledhjen e dy qeverive, Kosovë-Maqedoni e Veriut.

Ai tha se javën e kaluar, ekipi i përbërë nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Jashtme kanë qëndruar në Shkup dhe kanë bërë koordinimet e fundit se kur mund të mbahet mbledhja.

Sipas Hoxhajt, vonesat e kësaj mbledhje kanë të bëjnë më shumë me arsyet e brendshme të Maqedonisë së Veriut, lidhur me zhvillimet e fundit, siç ishte marrëveshja me Greqinë, anëtarësimi në NATO dhe zgjedhjet presidenciale.

Ai tha se shumë shpejt mund të caktohet data për këtë mbledhje.