Keqmenaxhimi solli 'Trepçën' në gjendje pa rrugëdalje

Keqmenaxhimi solli 'Trepçën' në gjendje pa rrugëdalje

Ekonomia September 18, 2019 - 07:57
Detajet
Image

Shyqyri Sadiku, i cili ka ngrirë pozitën e kryesindikalistit të “Trepçës” pasi është caktuar drejtor i Prodhimit në “Trepçë”, ka thënë se prodhimi mujor në minierën e Stan Tërgut nuk kalon 10 mijë tonë, ndërsa për gjendjen kur as pagat e punëtorëve nuk mund të sigurohen fajëson menaxhmentin, i cili ka udhëhequr me “Trepçën” në 7 - 8 vjetët e fundit. Minatorët: Gjendja është përkeqësuar me ardhjen e drejtorit menaxhues Basri Ibrahimi, shkruan sot Gazeta 'Zëri'.

Për herë të parë prej përfundimit të luftës pagat e punëtorëve të “Trepçës” janë paguar në mënyrë të përzgjedhur.

Për muajin gusht pagat i kanë marrë vetëm minatorët, të cilët punojnë brenda minierës, ndërsa pa paga kanë mbetur rreth 500 punëtorë, stafi administrativ, sigurimi dhe punëtorët që kryejnë shërbime të tjera.

LEXO EDHE: Sejdiu: S’kemi vijë të kuqe për LVV-në, nuk e kemi armik

Përderisa për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet aktualisht “Trepça”, kryesindikalisti i “Trepçës”, aktualisht drejtor i Prodhimit, Shyqyri Sadiku, ka fajësuar menaxhmentin që ka udhëhequr me “Trepçën” në 7 - 8 vjetët e fundit, minatorët shprehen se gjendja është përkeqësuar me ardhjen e drejtorit menaxhues të “Trepçës” Basri Ibrahimi, shkruan më tutje Gazeta 'Zëri'. 

“Trepça” ka një staf më të gjerë se vetëm minatorët, ajo ka stafin administrativ, sigurimin, stafin e njësive biznesore, duke përfshirë punëtorët e industrisë kimike, të fabrikës së akumulatorëve e ata të pajisjeve përcjellëse.

Pakënaqësitë me pagesat përzgjedhëse

Kanë kaluar gati 20 ditë qëkur muaji gusht ka përfunduar, por për një pjesë të madhe të punëtorëve të “Trepçës” ka kaluar më shumë se një muaj e gjysmë që në llogaritë bankare nuk janë depozituar paratë e djersës së tyre. Shyqyri Sadiku, i cili aktualisht është angazhuar (caktuar) drejtor i Prodhimit në “Trepçë” dhe i cili ka ngrirë pozitën e kryesindikalistit të “Trepçës”, i tha “Zërit” të martën se në mesin e punëtorëve ka pakënaqësi të mëdha, për faktin se dikujt i është dhënë paga e dikujt jo. Ai ka ripërsëritur se kjo gjendje, kur as pagat e punëtorëve nuk mund të paguhen, ka ardhur si rezultat e keqmenaxhimit në 7 - 8 vjetët e fundit.

“Kjo gjendje vjen si rezultat e keqmenaxhimit për një kohë të gjatë. Në 7 - 8 vjetët e fundit me ‘Trepçën’ është menaxhuar tepër keq, askush nuk ka pasur një strategji se si të avancohet prodhimi dhe të sigurohen mjete për t’i shlyer të gjitha obligimet. Për këtë gjendje në të cilën tani jemi dhe kur më nuk mund të garantohen as pagat e punëtorëve si kryetar i SP-së së Punëtorëve të ‘Trepçës’ kam paralajmëruar me kohë, por askush nuk më dëgjonte, madje shumë prej tyre mendonin se jam duke paralajmëruar për diçka që nuk ekziston, se nuk ka as krizë financiare, as probleme me fuqinë punëtore, ndërsa ishte e kundërta”, tha Sadiku për “Zërin”.

Ai bëri të ditur se me kërkesë të punëtorëve është caktuar në pozitën e drejtorit të Prodhimit, me shpresën se prodhimi do të rritet.

“Unë kam pranuar këtë punë me kushtin që t’i kem duart e lira, të punoj ashtu siç unë di. Unë kam kërkuar që ta kem mbështetjen edhe të stafit menaxhues e edhe të Bordit. Tani për tani unë nuk kam hetuar se kam ndonjë mbështetje, ndonëse disiplina në minierë është përmirësuar dukshëm. Nëse e vërej se nuk po më mbështesin, unë do të dorëhiqem”, ka shpjeguar Sadiku për “Zërin”, të martën.

Sadiku ka ripërsëritur se pagat e gushtit janë lëshuar vetëm për minatorët, të cilët punojnë nën nivelin mbikëqyrës, ndërsa ata që punojnë mbi atë nivel, duke përfshirë sigurimin, njësitë biznesore, administratën, fabrika e industri të ndryshme nuk janë paguar.

Se çfarë do të jenë masat për të siguruar paga, Sadiku thotë se nuk i di, por ka sqaruar se kjo gjendje kështu nuk mund të vazhdojë edhe gjatë, sepse pakënaqësitë në mesin e punëtorëve mund të shtohen.

Në minierë ka mungesë të minatorëve, rritet numri i administratës

“Zëri” ka mësuar në ndërkohë se pakënaqësitë për shkak të pagesës përzgjedhëse të pagave janë shfaqur para 3-4 ditëve, kur ndërrimi parë i punëtorëve, të cilët punojnë në minierë, nuk ka dalë në punë, duke kërkuar që pagat t’u paguhen.

“Punëtorët e ndërrimit të parë e kanë thirrur menaxherin dhe kanë kërkuar nga ai t’u tregojë se kur do t’u jepen pagat, por menaxheri nuk ka mundur të tregojë, sepse ka thënë që nuk e di. Madje ai na ka thënë se nuk ka para për t’i paguar pagat e të gjithëve. Punëtorët nuk janë pajtuar dikush të marrë rrogën e dikush jo”, ka thënë një burim i “Zërit” në minierën e Stan Tërgut.

pohime i ka konfirmuar ushtruesi i detyrës së kryesindikalistit të “Trepçës”, Gani Osmani, i cili ka ripërsëritur se deri te kjo gjendje ka ardhur për shkak të dështimeve të mëdha në menaxhim.

E ndërkaq një minator i “Trepçës” (emri i njohur për redaksinë) i tha “Zërit” se faji për këtë gjendje është te menaxhmenti i “Trepçës”, para së gjithash te drejtori menaxhues aktual Basri Ibrahimi.

“Mbrapsht e kanë nis o burrë, nuk e di çka po mendon ai, me të gjithë ne i ka ftohur raportet, është jashtëzakonisht përbuzës, ne nuk mund ta përballojmë këtë përbuzje, sepse është ngarkesë psikike. Ka tre muaj prejse ka ardhur edhe puna është duke shkuar gjithnjë e më keq, me neve ka bisedu vetëm një herë. I kemi tregu, në një formë i kemi ndarë ‘dhen e dhi’ me të. Ai i ka vendosur në pozita njerëz që kanë punuar me organe të dhunshme të Serbisë. Në minierë ka mungesë të minatorëve, ndërsa ai e rrit numrin e punëtorëve të administratës, do të thotë krejt mbrapsht. Kështu nuk do të shkojë edhe gjatë, sigurisht se nëse vazhdohet kështu edhe reagimi ynë do të jetë i ashpër. Ky drejtor po dëshiron me ia vnu drynin ‘Trepçës’, me mujt me e privatizu kishte me qenë mirë, po nuk kanë me mujt as me e privatizu se nuk e merr kush në këtë gjendje”, ka thënë ai. “Zëri” ka provuar të kontaktojë me drejtorin menaxhues të “Trepçës” Basri Ibrahimin, të martën, por ai nuk e ka hapur telefonin.

Në anën tjetër ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se gjendja financiare në “Trepçë” është shumë e rëndë dhe se po bëhen përpjekje për një zgjidhje për të siguruar mjete për pagat e punëtorëve.

“Situata është e vështirë, janë bërë disa ndryshime edhe në menaxhment me shpresën se do të përmirësohet gjendja. Ministria ka ndihmuar maksimalisht, gjatë këtij viti ia kemi ndarë ‘Trepçës’ 5 milionë euro për investime, por nevojiten të zbatohen disa procedura për t’i futur në funksion. Nevojitet një zgjidhje e qëndrueshme për ‘Trepçën’ dhe kjo mund të bëhet vetëm nëse një pjesë e saj privatizohet”, ka vlerësuar Lluka.