Shoqata për Dëmet e Luftës: Dëmi material e njerëzor, deri në 4 milionë euro

Shoqata për Dëmet e Luftës: Dëmi material e njerëzor, deri në 4 milionë euro

Ekonomia October 14, 2019 - 08:22
Lexoni detajet
Image

Shoqata për dëmet e luftës “Ngritja e Zërit”, selia e së cilës është në Skenderaj, ka dorëzuar deri më tani 1100 dosje ose kërkesëpadi për kompensim dëmi, por të gjitha paditë janë hedhur poshtë. Bejta: Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në cilësinë e gardianit të drejtësisë, ka për obligim të veprojë në raport me qytetarin e dëmtuar, me Kushtetutën dhe me Konventën për Liri dhe të Drejta të Njeriut, shkruan sot gazeta "Zëri".

Skenderaj. Shoqata për dëmet e luftës “Ngritja e Zërit”, selia e të cilës është në Skenderaj, ka vazhduar të hartojë dosje dhe kërkesëpadi për kompensimin e dëmeve të luftës kundër shtetit të Serbisë. Ato u dorëzohen gjykatave themelore në gjithë Kosovën, të cilat apriori i refuzojnë duke u thirrur në jokompetencë. Deri më tani, sipas drejtorit ekzekutiv të shoqatës Jahir Bejtës, në gjykatat e Kosovës janë dorëzuar mbi 1100 kërkesëpadi, por të gjitha ato janë refuzuar.

LEXO EDHE: BE-ja prish kontratën 5-milionëshe për ndërtimin e deponisë në veri

Kërkesëpaditë hidhen poshtë për “jokompetencë”

“Për herë të gjashtë shoqata për dëmet e luftës ‘Ngritja e Zërit’ ka dorëzuar në Kushtetuese dosjet e radhës për kompensimin e dëmeve të luftës, përkatësisht kërkesat për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktvendimeve të Gjykatës Supreme të Kosovës, me qëllim që Gjykata Kushtetuesja ta korrigjojë lëshimin që e ka bërë Gjykata Supreme, që nuk e ka njohur procedurën e revizionit. E kemi shpresën që Gjykata Kushtetuese në cilësinë e gardianit tani ta korrigjojë lëshimin që e ka bërë Gjykata Supreme. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është negativ, i Supremes negativ, nuk e lejojnë procedurën e revizionit, ne kemi kërkuar procedurën e revizionit për t’u hyrë lëndëve dhe ta shqyrtojmë ligjshmërinë e nxjerrjes së tyre dhe të konstatojmë se a janë në përputhshmëri ose jo. Në të gjitha deri më tani janë negative edhe kjo nuk do të thotë që i refuzojnë, por e kanë një shprehje ‘papranueshmëri’”, i tha “Zërit” Jahir Bejta, drejtor i shoqatës për dëmet e luftës “Ngritja e Zërit”, të enjten, i cili në vijim ka sqaruar se kërkesat për kompensim të dëmeve bëhen për shtetin e Serbisë dhe vlera e demit njerëzor dhe material shkon deri në 4 milionë euro.

Kërkesë Qeverisë së re të merret me trajtimin e kërkesëpadive të dorëzuara

Ai ka apeluar tek institucionet e shtetit të Kosovës dhe te Qeveria e ardhshme e Republikës së Kosovës që të merren seriozisht me trajtimin e këtyre lëndëve.

“Këto kërkesa i drejtohen Qeverisës së Serbisë që të bëjë kompensimin, sepse ajo ka përgjegjësi kolektive, sepse lufta është udhëhequr nga gjeneralët e Ushtrisë dhe Policisë Serbe, andaj ‘Ngritja e Zërit’ është me konsistencë aktive dhe permanente të ushtrojë dhunën juridike deri në realizim të ‘petitumit’ në kuptimin e dëmshpërblimit të qytetarit, i cili ka pësuar në luftën e fundit (1999). Gjeneralët serbë kanë urdhëruar vrasje masive në Kosovë, prej një familjeje ka të vrarë edhe nga 7 e 8, kanë shkatërruar ekonominë familjare, kanë djegur shtëpitë e shqiptarëve, janë përpjekur ta shfarosin një popull të tërë. Masakrat që ka kryer Serbia nuk janë parë askund në botë, ato kanë shqetësuar botën e civilizuar. Kemi dosje që vlera e dëmit shkon deri 3 milionë ose 4 milionë euro, pasi që ka edhe deri në 7 e 8 të vrarë dhe kemi me ekonomi tërësisht të rrënuar. Në emër të shoqatës, të familjeve që kanë përjetuar tmerrin dhe kanë humbur shumë anëtarë të familjes, të atyre që kanë mbetur pa asgjë, pa shtëpi e të atyre që ende i kërkojnë të dashurit e tyre, që Serbia i ka katandisur nëpër pjesë të ndryshme të Serbisë, u bëj apel institucioneve të Kosovës, para së gjithash Qeverisë së ardhshme, që t’i qasen evitimit të padrejtësive të cilat i kanë bërë pareshtur që nga viti 1999, pra të jetë përkushtimi për të drejtën e qytetarit të nëpërkëmbur për 20 vjet”, ka nënvizuar Bejta.

Drejtori i “Ngritjes së Zërit” ka shpjeguar se deri më tani janë hartuar dhe janë dorëzuar 110 dosje ose kërkesëpadi për kompensim dëmi.

Protesta në kërkim të drejtësisë

“Deri më tani të gjitha paditë apriori janë hedhur, pra nuk është lejuar shqyrtimi i të njëjtave duke u thirrur në jokompetencë. Në Gjykatën e Apelit janë 600 dosje ose ankesa kundër aktvendimeve që kanë marrë gjykatat themelore, të gjitha ankesat janë refuzuar, duke i mbështetur aktvendimet e gjykatave themelore. Në Gjykatën Supreme të Kosovës janë 140 dosje ose kërkesa për lejimin e procedurës së revizionit, por që të gjitha ato janë refuzuar me konstatimin se të dy instancat gjyqësore kanë vepruar drejt me rastin e hedhjes së padive, ndërsa në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve të Gjykatës Supreme janë dërguar deri më tani 112 dosje. Përgjigjja deri më tani për të gjitha dosjet është ‘të papranueshme’ ose ‘aktvendim për papranueshmërinë e të njëjtave’ edhe pavarësisht faktit se Gjykata Kushtetuese e Kosovës në cilësinë e gardianit të drejtësisë ka për obligim të veprojë në raport me qytetarin e dëmtuar, me Kushtetutën dhe me Konventën për Liri dhe të Drejta të Njeriut, pasi që me Kushtetutë konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare janë shndërruar në kategorinë e rendit juridik të brendshëm, madje me përparësi implementimi”, ka sqaruar drejtori i shoqatës për dëmet e luftës “Ngritja e Zërit”, Jahir Bejta.

Ai ka shtuar se shoqata deri me tani përveç kontestimit të akteve juridike si të pabaza, kërkesa për drejtësi i ka kërkuar publikisht edhe përmes dy protestave publike deri më tani. Krejt në fund Bejta ka kërkuar që të hapen zyra të Shoqatës për Dëmet e Luftës në çdo komunë të Kosovës, për shkak se, siç ka thënë ai, “mungesa e zyrave po u shkakton telashe familjeve që kërkojnë dëmshpërblim”./ZERI