10 mijë euro dënimi për institucionet që s’e zbatojnë Ligjin për Qasje në Dokumente Zyrtare

10 mijë euro dënimi për institucionet që s’e zbatojnë Ligjin për Qasje në Dokumente Zyrtare

Ekonomia November 06, 2019 - 07:47
Detajet
Image

Sipas një diskutimi, të cilin e ka organizuar OSBE-ja në veri të Mitrovicës, Agjencinë për Mbrojtje të të Dhënave Personale, me amendamentet e reja të Ligjit për Qasje në Dokumente Zyrtare, e zëvendëson Agjencia për Informimin Privat, e cila është e obliguar ta zbatojë Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Ligjin për Qasje në Dokumente Zyrtare, shkruan sot gazeta Zëri.

Mitrovicë. Institucionet, të cilat nuk e zbatojnë Ligjin për Qasje në Dokumente Zyrtare, do të dënohen prej 3 mijë deri në 10 mijë euro, duke u bazuar në amendamentet e reja të këtij ligji. Gjithashtu Agjencinë për Mbrojtje të të Dhënave Personale, me amendamentet e reja të Ligjit për Qasje në Dokumente Zyrtare, e zëvendëson Agjencia për Informimin Privat, e cila është e obliguar të zbatojë Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Ligjin për Qasje në Dokumente Zyrtare. Kështu është thënë në një diskutim, të cilin e ka organizuar OSBE-ja në veri të Mitrovicës, në të cilin merrnin pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të komunave veriore dhe mediet. Pjesëmarrësit në diskutimin publik, që është mbajtur në veri të Mitrovicës, gjithashtu kanë konstatuar se Agjencia për Informimin Privat është e obliguar ta përcjellë zbatimin në praktikë të këtyre dy ligjeve, por edhe për shqiptimin e masave ndëshkuese nëpërmes personit mbrojtës për qasje në dokumente zyrtare, i cili do të emërohet dhe i cili ka të drejtën të shqiptojë dënime me para prej 3 deri në 10 mijë euro institucioneve, të cilat nuk respektojnë ligjet.

Në diskutimin e së martës është thënë se nëse qytetari, i cili ka kërkuar dokument me rëndësi publike nuk ka hasur në përgjigje pozitive nga institucioni i caktuar ka të drejtën t’i drejtohet Agjencisë për Informim Privat, e cila ka kompetenca që në nivel drejtues, respektivisht administrativ, t’i marrë vendimet përfundimtare. “Nëse edhe pas kësaj qytetari nuk është i kënaqur me rezultatin, adresa tjetër në të cilën mund të bëjë ankesë është gjykata. Gjithashtu Agjencia është përgjegjëse për përmbajtjen e uebfaqeve të institucioneve publike. Është e autorizuar edhe për promovimin e programit, jo vetëm për zyrtarë publikë, por edhe për organizata të shoqërisë civile nëpërmes seminareve, konferencave dhe formave të tjera të trajnimit. Agjencia gjithashtu ka për obligim të hartojë udhëzime të qarta për implementimin e këtij ligji në praktikë si për publikun, ashtu edhe për institucionet”, është thënë mes tjerash në diskutimin publik për ndryshimet në Ligjin për Qasje në Dokumente Zyrtare, të cilin e ka organizuar OSBE-ja në veri të Mitrovicës.

E me qëllim të zbatimit sa më efikas të Ligjit për Qasje në Dokumente Zyrtare, nga diskutimi publik është dërguar porosia që zyrtarët publikë duhet t’i kryejnë trajnimet, me qëllim të njoftohen me ndryshimet e ligjit. Pjesëmarrësit shtruan nevojën që edhe organizatat e shoqërisë civile të vendosin platformë, në mënyrë që t’u ofrojnë mbështetje komunave për rritjen e transparencës, si dhe që komunave duhet t’u jepet kohë ta jetësojnë, ndërsa qytetarëve ta kthejnë besimin tek institucionet. “Ligji për Qasje në Dokumente Zyrtare është bërë sipas modelit që zbatohet në Slloveni, ndërsa është plotësuar në qershorin e këtij viti. Komunat veriore të Kosovës nuk kanë zyrtarë për informim publik”, është konstatuar në diskutimin publik për Ligjin për Qasje në Dokumente Zyrtare, të cilin e ka organizuar OSBE-ja në veri të Mitrovicës.//ZERI