Në 'Trepçë' dhe në 'Ferronikel' pas protestave dëgjohet zëri i punëtorëve

Në 'Trepçë' dhe në 'Ferronikel' pas protestave dëgjohet zëri i punëtorëve

Ekonomia nëntor 16, 2019 - 08:17
Detajet
Image

Dy ditë grevë të punëtorëve të “Trepçës”, një orë grevë e punëtorëve të “Ferronikelit”, si dhe kërcënimet me radikalizim të protestave të punëtorëve kanë mjaftuar që menaxhmentet e këtyre dy gjigantëve ekonomikë kosovarë t’u binden kërkesave të punëtorëve për rritje dhe realizim të pagave. Punëtorët e “Ferronikelit”, paga mesatare e të cilëve është 550 euro, do të përfitojnë rritje nga skema e planifikuar e shtesave, ndërsa minatorët e “Trepçës” do t’i marrin pagat e mbetura më së largu deri më 27 nëntor, shkruan sot gazeta "Zëri".

Dy ditë grevë e punëtorëve të “Trepçës”, një orë grevë e punëtorëve të “Ferronikelit” në javën që lamë pas, si dhe kërcënimet me radikalizimin e protestave të punëtorëve kanë dhënë efektet e tyre. Menaxhmentet e këtyre dy gjigantëve ekonomikë kosovarë “janë detyruar” të ulen dhe të bisedojnë me sindikalistët për mënyrën e plotësimit të kërkesave të punëtorëve, atyre të “Trepçës” për pagesën e pagave për muajin tetor, si dhe një pjesë të pagave të mbetura më përpara, ndërsa atyre të “Ferronikelit” ngritje të pagave nga 100 euro për secilin punëtor. Kërkesa e këtyre të fundit do të realizohet vetëm pjesërisht, pasi ata do të përfitojnë rritje nga skema e planifikuar e shtesave.

Minatorët shpresojnë në përmbushjen e premtimeve

Pas dy ditësh grevë punëtorët e “Trepçës” i janë kthyer prodhimit, me shpresën se kërkesat e tyre për pagesën e pagave të muajit tetor dhe të një pjese të pagave të mbetura nga muajt tjerë, kushtet e punës dhe cilësia e ushqimit do të plotësohen. Lajmin për kthimin e punëtorëve në punë dhe ndërprerjen e grevës e ka dhënë kryetari i Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës”, Ardian Syla. “Pas negociatave nga të gjitha palët në ndërmarrjen ‘Trepça’, Bordi Mbikëqyrës, menaxhmenti, Sindikata e Pavarur, si dhe punëtorët e ndërmarrjes ‘Trepça’, puna në minierën e Stantërgut, pas një ndërprerjeje dyditore, ka rifilluar. Kohëve të fundit ‘Trepça’ është duke u përballur me gjendje jo të mirë financiare. Në mungesë të prodhimit kemi pasur edhe jolikuiditet financiar, prandaj ka pasur edhe vonesa në ekzekutimin e pagave, si dhe të obligimeve tjera. Ndërmarrja ‘Trepça’ është ndërmarrje prodhuese, prandaj edhe gjithë funksionimi i saj varet nga nxjerrja, përpunimi dhe prodhimi i koncentratit. Pagat për muajin tetor, si dhe pjesa e mbetur e dy muajve paraprakë do të ekzekutohen shumë shpejt, pas liferimit të sasisë së grumbulluar të koncentratit të plumbit dhe të zinkut.

Rregullimi i cilësisë së ushqimit, si dhe kushtet tjera të punës për punëtorët në minierë janë në përfundim e sipër. Tremujori i fundit ka qenë shpresëdhënës, duke treguar trend të rritjes së prodhimit, prandaj ‘Trepçës’ i është kthyer shpresa sado e vogël për një stabilitet financiar. Prandaj, çdo grevë eventuale vetëm se do të pengonte zhvillimin e mëtutjeshëm të ndërmarrjes”, ka thënë mes të tjerash kryetari i Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës”, Ardian Syla.

Ndërkohë Gani Osmani, kryetar i SP-së së Punëtorëve të “Trepçës”, ka saktësuar se sindikalistët kanë biseduar me drejtorin menaxhues dhe janë marrë vesh edhe me Bordin që paga e tetorit dhe pjesa e pagave që kanë mbetur nga shtatori (dikush ka marrë 65 për qind, disa 4 për qind më pak) të paguhen më së largu nga 25-27 të këtij muaji (nëntor), ndërkaq paga e muajit nëntor dhe pagat për muajt që vijnë të paguhen prej 7 deri më 10 të muajit.

“Jemi në vështirësi të mëdha, kemi shumë borxhe dhe ne kemi biseduar me drejtorin menaxhues, i dimë vështirësitë që kemi. Siç dihet, Qeveri ende nuk ka, andaj nuk kemi mundësi që problemet t’i diskutojmë me qeverinë. Tani presim të shitet një pjesë e koncentratit për t’i siguruar pagat”, tha Osmani.

Në “Ferronikel” marrëveshje ndërmjet Sindikatës dhe menaxhmentit

Edhe punëtorët e “Ferronikelit”, pas një ore grevë, të martën, u janë kthyer vendeve të punës dhe prodhimit.

Menaxhmenti i “Ferronikelit” ka sqaruar nëpërmes një deklarate se menaxhmenti dhe Sindikata janë marrë vesh të ndërpritet greva, ndërsa punëtorët do të përfitojnë nga skema e planifikuar e shtesave. Sipas kësaj skeme, punëtorët çdo muaj, përveç pagës, të cilën e marrin me rregull, do të përfitojnë edhe shtesa.

Kjo do të varet nga performanca e secilit punëtor dhe realizimi i planit të përcaktuar mujor. “Ne si menaxhment jemi të bindur se kjo do të ndikojë në përmirësimin e performancës së punëtorëve dhe në ngritjen e produktivitetit. Për kompaninë punonjësit janë aset i çmuar, ndaj në vazhdimësi është punuar për përmirësimin e kushteve të tyre. Punonjësve të ‘NewCo Ferronikeli’ u ofrohen kushte të punës me standarde të larta ndërkombëtare, duke filluar nga pajisjet për mbrojtje në punë, ushqimi cilësor në punë, transporti, përkujdesja mjekësore, lavanderia për larjen e rrobave të punës, pagesa e orëve shtesë, pushimi me pagesë, si dhe respektimi i të gjitha normave sipas Ligjit të Punës së Republikës së Kosovës.

Për këtë arsye duam të theksojmë se kërkesa e vetme e punëtorëve ka qenë rritja e pagës prej 100 euro për punonjës dhe asnjë arsye tjetër. Vlen të theksohet se paga mesatare e punonjësve të ‘NewCo Ferronikeli’ është 550 euro, ndërsa paga më e ulët është 400 euro.

Fatmirësisht, pas takimeve të zhvilluara me sindikatën e punëtorëve të ‘NewCo Ferronikeli’ dhe duke ua sqaruar situatën punëtorët janë rikthyer në vendet e tyre të punës dhe prodhimi është duke vazhduar sipas planit. Menaxhmenti i ‘NewCo Ferronikeli’-it ka përpiluar dhe do të vazhdojë të përcjellë propozime për rritjen e pagës në formatin e lejimit të rimëkëmbjes së kompanisë, pa cenuar performancën operuese dhe financiare dhe njëkohësisht do të vazhdojmë me investime në të mirë të punëtorëve dhe të fabrikës”, thuhet mes të tjerash në deklaratën e menaxhmentit të “Ferronikelit”.

Grupi “Balfin” e ka marrë në posedim kompaninë “NewCo Ferronikeli” rreth një vit më parë. Vendimi i parë i menaxhmentit të ri ishte që pa asnjë lloj obligimi ligjor t’ua paguante punonjësve të gjitha pagat e mbetura dhe të papaguara, të cilat nuk i kishin marrë për disa muaj.

“Grupi ‘Balfin’ ka injektuar miliona euro në investime për të rifilluar punën e furrës dhe po planifikohen miliona euro të tjera për investime kapitale. Më konkretisht vetëm në vitin 2020 ‘NewCo Ferronikeli’ ka të planifikuar të investojë mbi 20 milionë euro në teknologji, në rritjen e efiçiencës, në përmirësimin e kushteve të prodhimit dhe të punës në fabrikë, si dhe për hapjen e vendeve te reja të punës. Menaxhmenti i ‘NewCo Ferronikeli’ dhe grupi ‘Balfi’ po punojnë në strategji afatgjate për zhvillimin e ‘NewCo Ferronikeli’-t, duke e bërë atë konkurrente me fabrikat e tjera në botë”, theksohet në deklaratën e menaxhmentit të “Ferronikelit” pas arritjes së marrëveshjes me Sindikatën e Pavarur të Punëtorëve për t’iu kthyer punës./ZËRI