Vlera e mallrave të liruara për prodhuesit kosovarë gjatë vitit 2019 arrin në 370 milionë euro

Vlera e mallrave të liruara për prodhuesit kosovarë gjatë vitit 2019 arrin në 370 milionë euro

Ekonomia janar 15, 2020 - 16:54

Bazuar në politikat fiskale në vitin 2019 vlera e mallrave që janë importuar me zero taksa në import për prodhuesit kosovar në vitin 2019, ka qenë 370 milionë euro apo 10.5 për qind e totalit të vlerës së importi në 2019.

Ndikimi në taksat në import që i referohen mallrave të liruara për prodhuese përgjatë vitit 2019 është rreth 81.5 milionë euro dhe paraqet një rritje prej rreth 9.7 për qind krahasuar me vitin paraprak 2018.

Sipas Doganës së Kosovës, nga kjo vlerë, ndikimi në taksën doganore ka qenë 9 milionë euro, 11.5 milionë euro në taksën e akcizës dhe 61 milionë euro në Tatimin e Vlerës së Shtuar.

“Sa i përket Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit duhet theksuar se ndikimi në të hyra përgjatë kësaj periudhe është rreth 64 milionë euro apo rreth 47 për qind më shumë se sa periudha e njëjtë e vitit paraprak 2018. Gjithashtu ndikim në të hyra ka pasur edhe Marrëveshja e Tregtisë se Lirë me Turqinë që ka hyrë në fuqi me 1 shtator 2019, ku efekti ne te hyra në import nga kjo marrëveshje për katër muaj ishte në vlerë 2.5 milionë euro. Totali i lirimeve për prodhues, ndikimi i këtyre dy marrëveshjeve për vitin 2019 kanë pasur efekt 148 milionë euro në taksat importuese”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Në fund, Dogana thotë se, “shpresojmë se ndikimi i këtyre politikave fiskale, MSA-së, Marrëveshjes se Tregtisë së Lirë, ka pasur efektin e vet pozitiv në ekonominë kosovare, për prodhuesit kosovar në ngritjen e kapaciteteve të tyre prodhuese, në zëvendësimin e produkteve në import dhe rritjen e eksporteve të produkteve kosovare drejtë vendeve tjera”.