Infektuar: 1158
Shëruar: 876
Vdekur: 30
Kompanitë eksportuese rrezikojnë mbylljen, kërkohet t’u ndahen 10 milionë euro

Kompanitë eksportuese rrezikojnë mbylljen, kërkohet t’u ndahen 10 milionë euro

Ekonomia May 22, 2020 - 09:08

Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës (OEAK) kërkon të zbatohen masat nga Pakoja Emergjente Fiskale, duke përfshirë edhe përkrahjen për eksportuesit.

Ministria e Financave dhe e Transfereve nga Pakoja Emergjente Fiskale ka ndarë 10 milionë euro për ndërmarrjet eksportuese, të cilat janë goditur nga pandemia.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, në një intervistë për “Ekonominë Online” tha se Ministria duhet të zbatojë këtë masë në mënyrë të shpejtë që t’u dalë në ndihmë eksportuesve, për shkak të vështirësive në zinxhirin global të furnizimit.

“Në bashkëpunim me OEK-un dhe me Këshillin e Investitorëve Evropianë kemi kërkuar zbatimin e të gjitha masave që janë të përfshirë në Pakon Emergjente Fiskale për mbylljen e zbatimit të tyre. Pakoja si e tillë është planifikuar që të ndihmojë ndërmarrjet dhe punonjësit e goditur në këtë fazë emergjente, në të cilën po kalon ekonomia. Këto masa duhet të zbatohen sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Zeka.

Zeka theksoi se këto ndërmarrje, përveçse janë të pakta në numër, një pjesë e fabrikave janë mbyllur në tërësi dhe disa të tjera kanë reduktuar pagesat për punonjësit.

Andaj tha ai se kjo masë duhet të zbatohet në këtë periudhë, para pakos së rimëkëmbjes.

“Është masa e 13-të e cila parasheh disbursimin e 10 milionë eurove për ndërmarrjet eksportuese, kjo masë duhet të zbatohet tani në këtë periudhë për shkak të vështirësive në zinxhirin global të furnizimit.

Shumë prej këtyre tashmë janë ballafaquar edhe me rënie të kërkesës dhe me vështirësi të tjera operuese, disa prej tyre i kanë reduktuar edhe kapacitetet e punës. Një numër i fabrikave janë mbyllur në tërësi, disa prej tyre kanë reduktuar pagesat për punonjësit e tyre”, u shpreh Zeka.

Mes të tjerash, Zeka potencoi se nëse këto mjete të planifikuara nuk adresohen, rrezikohen kontratat dhe aktiviteti prodhues i ndërmarrjeve.

“Rreziku është që këto kompani të humbin kontrata, të cilat i kanë ose të pushojnë në tërësi aktivitetin e tyre prodhues. Një kohë kur ne kemi një deficit të lartë tregtar dhe kemi nevojë që përpjekja e shtetit të jenë në mbështetje të tyre. 10 milionë euro nuk janë shumë në mbështetje të eksportit”, tha ai.

Me tej Zeka komentoi edhe deklaratën e Ministrisë së Financave dhe Transfereve për vonesat e kompensimit të pagave si shkak i keqpërdorimeve, raporton EO-ja.

Ai thotë se këto mjete duhet të disbursohen, pasi vështirëson jetesën dhe shkak dëme në ekonomi.

“Kishim edhe njoftimin nga MF-ja që jo të gjitha mjetet e planifikuara për kompensim të pagave janë disbursuar deri më tani për shkak të keqpërdorimeve nga ana e bizneseve.

Ne mendojmë se është e nevojshme të disbursohen të gjitha mjetet e planifikuara, pasi një pjesë e madhe e punonjësve gjatë kësaj periudhe kanë mbetur të papunë dhe ndërprerja e të hyrave për ata e vështirëson edhe të jetuarit e tyre, si dhe shkakton dëme në ekonomi në përgjithësi”, shtoi Zeka.