Infektuar: 15472
Shëruar: 13278
Vdekur: 622
Bie numri i ndërmarrjeve të reja në Kosovë

Bie numri i ndërmarrjeve të reja në Kosovë

Ekonomia July 30, 2020 - 14:46

Në Kosovë gjatë muajve mars – qershor ka pasur një rënie të theksuar të ndërmarrjeve të reja të regjistruara në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, transmeton “Zeri.info”.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në tremujorin e dytë të vitit 2020 gjithsej janë regjistruar 2 033 ndërmarrje. Duke e krahasuar me tremujorin paraprak (TM1 2020), ka një rënie prej (-12,03%) të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa, duke e krahasuar TM2 2020 me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM2 2019) ka rënie prej (-23,4%) të ndërmarrjeve të regjistruara.

“Për sa u përket aktiviteteve ekonomike, më të preferuarat gjatë këtij tremujori ishin: tregtia me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 488 ndërmarrje të regjistruara (24%); ndërtimtaria me 328 ndërmarrje të regjistruara (16,1%); prodhimi me 309 ndërmarrje të regjistruara (15,2%); akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 191 ndërmarrje të regjistruara (9,4%); aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 189 ndërmarrje të regjistruara (9,3%) etj.”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Sipas ASK-së, në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 1963 ndërmarrje të regjistruara, në këtë tremujor (96,6%); me 5 deri 9 të punësuar janë 53 sosh (2,6%); me 10 deri në 19 të punësuar janë 11 ndërmarrje të regjistruara (0,5%); me 20 deri 249 të punësuar janë 6 ndërmarrje të regjistruara (0,3%); ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar nuk ka ndonjë ndërmarrje të regjistruar gjatë këtij tremujori.

“Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave prin Komuna e Prishtinës me 551 ndërmarrje të regjistruara (27.1%); Ferizaj me 164 ndërmarrje të regjistruara (8,1%); Prizreni me 153 ndërmarrje të regjistruara (7,5%); Peja me 127 ndërmarrje të regjistruara (6,2%); Gjilani me 110 ndërmarrje të regjistruara (5,4%); dhe Gjakova me 108 ndërmarrje të regjistruara (5,3%). Ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor”, thuhet në komunikatë. /Zëri