Ministrja Bajrami në takimin vjetor të nivelit të lartë të FMN-së flet për sfidat ekonomike të Kosovës pas pandemisë

Ministrja Bajrami në takimin vjetor të nivelit të lartë të FMN-së flet për sfidat ekonomike të Kosovës pas pandemisë

Ekonomia October 22, 2020 - 21:54

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, sot mori pjesë në takimin vjetor të Fondit Monetar Ndërkombëtar të kryesuar nga Drejtorja Menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva.

Kjo ishte hera e parë që Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës i rezervohet mundësia e adresimit si paneliste në takimin e nivelit të lartë të FMN-së.

Në një njoftim për media bëhet e ditur se në fjalën e saj, ministrja Bajrami falënderoi FMN-në për këtë mundësi, dhe për mbështetjen e FMN-së në menaxhimin e pandemisë si dhe për bashkëpunimin e ngushtë në fushën e menaxhimit të financave publike dhe ruajtjen e stabilitetit makrofiskal në vendin tonë.

“Ajo foli për sfidat me të cilat po përballet ekonomia e Kosovës në kontekstin e krijuar nga pandemia duke u përqendruar në nevojën për një politikëbërje adekuate e cila adreson në mënyrë efektive dhe të shpejt problemet socio-ekonomike e ato shëndetësore të krijuara si rezultat i pandemisë”, thuhet në njoftim.

Tutje Bajrami theksoi se Kosova dhe vendet e rajonit duhet të adresojnë në mënyrë të kujdesshme dhe të analizuar mirë hapësirën fiskale si dhe të forcojnë kapacitetin absorbues në mënyrë që financimi i projekteve të prodhojë rezultate pozitive.

Ministrja Bajrami theksoi se edhe në periudhën vijuese mbeten sfida të rëndësishme për t’u adresuar, sikurse çështja e parashikueshmërisë, përkatësisht e pasigurisë që ndërlidhet me shkallën e dëmit ekonomik të krijuar nga pandemia tek bizneset si dhe reflektimit të këtij ndikimi te të hyrat buxhetore të shtetit.

“Në kuadër të politikave tona publike, ne si qeveri duhet të përballemi me dilemat e pashmangshme për të gjetur balancë ndërmjet investimeve publike në shëndetësi, arsim, në sektorin privat dhe në fusha tjera, gjithnjë duke pasur në konsideratë grupet e cënuara dhe kategoritë sociale”, ka thënë ajo. /Zëri