Mobilizohen institucionet pasi “IuteCredit” e dërgoi në Arbitrazh Kosovën

Mobilizohen institucionet pasi “IuteCredit” e dërgoi në Arbitrazh Kosovën

Ekonomia October 26, 2020 - 14:24

Kosova shumë shpejt do të përballet në Gjykatën e Arbitrazhit pasi është paditur nga institucioni mikrofinanciar “IuteCredit”.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, gjatë një takimi që ka pasur sot me Guvernatorin e Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti, ka shprehur shqetësimin e tij rreth dërgimit të lëndës në arbitrazh nga “IuteCredit” kundër shtetit të Kosovës i cili në fund të vitit të kaluar kishte marrë vendim për ndalimin e aktivitetit të këtij institucioni.

Selimi ka thënë se Ministria që ai udhëheq do t’i ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm ligjor për këtë cëështje.

“Bashkë me Avokatin e Përgjithshëm të Shtetit, z.Sami Istrefi pritëm në takim Guvernatorin Bankës Qendrore të Kosovës z.Fehmi Mehmeti, i cili shprehi shqetësimin e tij, rreth dërgimit të lëndës në arbitrazh nga IuteCredit për shtetin e Kosovës. Për këtë cëështje Guvernatorin Mehmeti e sigurova që Qeveria e Kosovës, respektivisht ministria e Drejtësisë do t’i ndërmarr të gjitha hapat e nevojshëm ligjor për këtë cëështje”, ka shkruar Selimi.

Ai më tej shton se Avokati i Shtetit kërkon që sa më shpejt të merret vendimi për procedurat në mënyrë që afatet ligjore të Tribunalit të mos e ndëshkojnë Kosovën.

“Askush nuk mund të përfitojë duke dëmtuar qytetarët, por as duke shkelur ligjin që është në fuqi”, ka shtuar ministri.

Kujtojmë se në dhjetor të vitit të kaluar, Banka Qendrore e Kosovës kishte marrë vendim që t’ua marrë licencën që e kishin për të operuar në Kosovë institucioneve mikrofinanciare, “IuteCredit” dhe “Monego”, me arsyetimin se përveç kredive me norma astronomike të interesit, ato po pastronin para për biznesmenë dhe persona të fuqishëm nga Estonia dhe Rusia. /Zëri