Telekomi: “Dardafon” shkeli marrëveshjen për kthim të borxhit, të na i zhbllokojë xhirollogaritë menjëherë
Foto: Laura Hasani

Telekomi: “Dardafon” shkeli marrëveshjen për kthim të borxhit, të na i zhbllokojë xhirollogaritë menjëherë

Ekonomia October 26, 2020 - 15:12

Telekomi i Kosovës ka reaguar pasi kompania “Dardafon” ia ka bllokuar sërish llogaritë bankare për shkak të borxhit.

Telekomi ka akuzuar “Dardafonin” se me këtë veprim kanë thyer marrëveshjen e arritur nga dy takimet e mbajtura së fundmi, ku prezent ka qenë Ministri dhe zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Ambientit, e sipas marrëveshjes është vendosur që borxhi të paguhet për dy vjet.

“Ne si Telekom i Kosovës kemi dhënë propozimin tonë që riprogramimi i borxhit të bëhet për 5 vjet ndërsa pas diskutimeve dhe ndërmjetësimit të qeverisë në parim është vendosur që borxhi të paguhet për dy vjet. Një konfirmim i tillë ju është dhënë përfaqësuesve të ‘Dardafon’ edhe nga vet kryeministri i vendit në një takim javën që shkoi”, thuhet në reagimin e Telekomit.

Sipas Telekomit, kryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Ambientit ju kanë kumtuar përfaqësuesve të “Dardafon” se Qeveria do të ndërmjetësojë këtë marrëveshje dhe do të jetë garantues i saj që borxhi të paguhet brenda dy vjetëve.

“I tërë procesi proceduralisht është shtyrë për disa ditë për shkak se disa zyrtarë të Ministrisë së Financave kanë qenë të infektuar me virusin COVID19. Mirëpo edhe pas zotimeve të vet kryeministrit dhe dakordancës që marrëveshja do të nënshkruhet këtë javë, zyrtarët e ‘Dardafon’ me një email kanë kërkuar nga përmbaruesi i tyre që t’i bllokojë llogaritë e Telekomit të Kosovës. Pra, kjo që ka ndodhur sot ka qenë një thyerje e marrëveshjes se arritur tashmë dhe kështu kanë rrezikuar skajshmërisht funksionimin e ndërmarrjes. Kërkojmë që menjëherë të zhbllokohen llogaritë tona dhe kështu t’i hapin rrugë marrëveshjes”, thuhet në reagimin e Telekomit.

Në anën tjetër, Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e Telekomit të Kosovës ndaj vendimit të shkallës së parë, me të cilën, ishte lënë në fuqi urdhri për caktimin e përmbarimit për një shumë afër 25 milion eurove. Këtë shumë, Telekomi i Kosovës obligohet që t’ia paguajë kompanisë “Dardafon.net”, pronare e Z-Mobile. /Zëri