Telekomi e Trepça në gjendje të rëndë, në rrezik pagat e rreth 5 mijë punëtorëve

Telekomi e Trepça në gjendje të rëndë, në rrezik pagat e rreth 5 mijë punëtorëve

Ekonomia October 28, 2020 - 14:13

Xhirollogaritë e dy ndërmarrjeve publike kryesore në vend, janë bllokuar këtë javë, shkaku i borxheve. Nëse këto xhirollogari nuk zhbllokohen këtë javë, mijëra punëtorë mund të mbesin pa paga dhe vendi mund të përballet edhe me protesta.

Rreth pesë mijë punëtorë të Telekomit, Postës dhe Trepçës mund të mbesin pa paga këtë muaj, ose pagat do të iu ekzekutohen me vonesë. Arsye për këtë është bllokimi i xhirollogarive të Telekomit dhe Trepçës, shkaku i borxheve që kanë.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, i ka thënë Gazetës Express se nëse xhirollogaritë nuk zhbllokohen brenda këtyre dy ditëve, atëherë përveç që rrezikohen pagat e punëtorëve, rrezikohet edhe operimi i gjithë ndërmarrjes.

“Përderisa xhirollogaritë janë të bllokume, jo vetëm që rrezikohen pagat e punëtorëve, por edhe operimi i gjithë ndërmarrjes sepse munden me mbet pajisjet pa furnizim. Gjithçka varet nga mjetet, pra lidhemi me pare. Rrezikohen pagat e 3 mijë e 500 punëtorëve të Telekomit dhe Postës dhe rrezikon seriozisht me ra të gjitha shërbimet”, ka thënë Balaj.

Nga kjo sindikatë, nuk i përjashtojnë as protestat nëse ka vonesa në paga. Sipas Balajt, nëse nuk do të ketë zhbllokim të llogarive, ata brenda një ore janë të gatshëm që të dalin në protesta.

“Gjithçka është e gatshme, operative është tu funksionu, grupi I grevave dhe protestave janë të gatshëm. Nëse nuk do të ketë zhbllokim të xhirollogarive, atëherë ne jemi të gatshëm që brenda një ore të dalim në protesta, por që njëherë po e presim vendimin”, ka deklaruar Balaj.

Përveç Telekomit, xhirollogaritë i janë bllokuar edhe ndërmarrjes publike “Trepça”.

Për arsyen e bllokimit të llogarive ka folur ushtrusi i detyrës së kryeshefit të kësaj ndërmarrje, Hysen Vrajolli.

“Borxhin e saktë nuk e dijmë sepse nuk e kemi marrë ende prej bankës, por xhirollogaritë na janë bllokuar për mospërmbushje të disa obligimeve ndaj furnitorëve dhe nuk mundemi t’i kryejmë këto pagesa derisa te shesim koncentratin javën e ardhshme”, ka deklaruar Vrajolli.

Edhe në këtë ndërmarrje mund të ketë vonesa të pagave, meqenëse Vrajolli thotë se zgjidhje nuk mund të gjendet deri në javën e ardhshme.

Sipas tij, nëse do të ketë të tilla vonesa, atëherë mund të eskalojë situata në këtë ndërmarrje.

Mund të ketë vonesa në paga dhe deri javën tjetër nuk ka zgjidhje. Janë diku rreth 1350 punëtorë që mund të iu vonohen pagat, Tash jemi në process sepse gjithmonë e shesim koncentratin muajin tjetër. Pagat ne zakonisht i japim me datë 7 ose 8, më së largu 10 të çdo muaji, por nëse kalon kjo datë, atëherë eskalon situata. I kam njoftuar Qeverinë me kohë, por s’kanë ndërmarrë asgjë. Ta shohim tash, ca po bëhet”, ka thënë Vrajolli.

Ndryshe, pas bllokimit të llogarive në Telekom, sindikata ka kërkuar që të shkarkohet bordi i kësaj ndërmarrje.

Kjo nuk është hera e parë që kësaj kompanie i janë bllokuar llogaritë si pasojë e borxhit që ka ndaj Z-Mobile.