Infektuar: 98835
Shëruar: 83591
Vdekur: 2008
Kuleta e Trustit, e hapur edhe një javë

Kuleta e Trustit, e hapur edhe një javë

Ekonomia April 01, 2021 - 23:37

Vetëm një javë ka mbetur deri në përfundimin e masës më të përfolur në kuadër të rimëkëmbjes ekonomike. Më 6 prill përfundon afati ligjor i tërheqjes së 10 përqind nga TRUSTI.

Por shumica e kosovarëve nuk e kanë lënë fare këtë punë. Vetëm ditën e parë, më 11 dhjetor 2020, kishin aplikuar më shumë se gjysma e kontributdhënësve, duke bllokuar kështu edhe sistemin, në fillim.

E mbi 90 përqind të aplikimeve janë kryer në muajin e parë. Tash, pa i marrë paratë e kursimeve pensionale kanë mbetur vetëm 35 përqind e tyre.

Nga institucioni që ruan ato, deri tash janë tërhequr 197 milionë euro.

Këtë masë e kanë shfrytëzuar më fort ata që kanë më shumë para në TRUST.

“Bilancin deri 10 euro i kanë tërhequr vetëm 11 përqind; 500 euro, mbi 90 përqind; mbi 1 mijë euro, më shumë se 97 përqind”, shpjegon Jeton Demi, zëdhënës në TRUST.

Tërheqja e 10 përqindëshit është pjesë e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, i votuar në Kuvend në kohën e Qeverisë Hoti, që mëtonte zbutjen e dëmeve ekonomike nga pandemia COVID-19.

Por sipas ligjëruesit të ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Sead Ujkani, kjo ka pasur efekt afatshkurtër.

“Pjesa më e madhe e tyre janë përdorur për konsum, ndoshta pa ndonjë efekt afatgjatë real. Dhe njëkohësisht pjesa më e madhe i ka kontribuar kohës kur është shpërndarë, që ka qenë pjesa e fundvitit”, thotë ai.

Ujkani konsideron se ky ligj ka krijuar edhe pabarazi sociale dhe nuk ka qenë gjithëpërfshirës.

“Ka shpërfaqur dhe një situatë të pafavorshme për një pjesë të punëtorëve të cilët kanë punuar ndër vite me kontrata joformale, të tillët nuk e kanë gëzuar këtë të drejtë”, shton Ujkani.

Ata që kanë nxjerrë apo do të nxjerrin më pak se një mijë euro nga 10-përqindëshi, do të rimbursohen nga shteti./klankosova