Qeveria nis zbatimin e masës së ringjalljes ekonomike për punësimin e çdo të riu 18 deri 24 vjeç
Foto: Laura Hasani

Qeveria nis zbatimin e masës së ringjalljes ekonomike për punësimin e çdo të riu 18 deri 24 vjeç

Ekonomia October 11, 2021 - 11:46

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka dhënë detaje në lidhje me masën 1.4 nga Pakoja e ringjalljes ekonomike, të cilën Qeveria e ka miratuar kohë më parë e në të cilën parashihet punësim i garantuar për të rinjtë e moshave 18-24 vjeç.

Murtati ka thënë se janë duke zhvilluar platformën, përmes së cilës do të mundësohet automatizimi i tërë procesit, ndërsa ka shtuar se pilotimi i kësaj skeme do të nisë me sektorin publik, ku në ATK pritet të angazhohen 100 të rinj, transmeton Zeri.info.

“Skema e punësimit të garantuar për të rinjtë po jetësohet. Aktualisht jemi në zhvillim të platformës, përmes së cilës do të mundësohet automatizimi i tërë procesit. Zhvillimi i platformës po bëhet nga kompani vendore dhe me mbështetje financiare të ‘Helvetas’ zvicerane. Po ashtu kemi siguruar mbështetje edhe për financim të skemës nga donatorë tjerë dhe presim që muajve në vijim mbështetja të rritet. Pilotimin me sektorin publik do ta bëjmë me ATK-në, ku së shpejti do të angazhojmë 100 të rinj për të mbështetur ATK-në në fushatën e formalizimit”, ka shkruar Murati.

Ai tha se kjo masë në sektorin privat do të nisë me sektorin e IT-së, që do të fillojë sapo të funksionalizohet platforma.

“Secila e re dhe secili i ri që hyn në tregun e punës do ta ketë punën e parë të garantuar nga shteti. Edhe një premtim drejt realizimit!”, ka shkruar ai.

Ndryshe, në vendimin e Qeverisë thuhet se kjo masë ka për qëllim të zbusë papunësinë te të rinjtë.

“Rinia në vendin tonë ka qenë në disavantazh për sa i përket punësimit edhe para pandemisë dhe në pandemi kjo vetëm sa është thelluar. Për të adresuar këtë problem, ne do të dizajnojmë dhe lansojmë gjatë këtij viti skemën e punësimit të garantuar për të rinjtë e moshave 18-24 vjeç, ku secilit të ri do t’i garantohet puna e parë, e subvencionuar nga shteti në nivelin e pagës minimale”, thuhet në masën 1.4. /Zëri