MF: U mundësohet aplikimi për shtesa të fëmijëve rasteve të veçanta përmes eKosova

MF: U mundësohet aplikimi për shtesa të fëmijëve rasteve të veçanta përmes eKosova

Ekonomia December 01, 2021 - 14:44

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar qytetarët se tashmë aplikimi për shtesa të fëmijëve në rastet e veçanta do të bëhet përmes platformës eKosova.

Sipas MF-së, raste të veçanta konsiderohen ato kur nëna jeton me leje qëndrimi në Kosovë, kur prindërit janë të shkurorëzuar dhe kujdestarinë e fëmijës e ka babai, kur nëna nuk jeton më dhe kur fëmija është nën përkujdesjen e kujdestarit ligjor.

“Në rastin kur nëna është me leje qëndrimi në Kosovë, kur kujdestarinë e fëmijës e ka babai pas divorcit ose kur nëna nuk jeton më, aplikimi për shtesa për fëmijë do t’i mundësohet babait. Pasi aplikuesi ta plotësojë formularin, sistemi automatikisht e verifikon nëse të dhënat janë të sakta dhe nëse aplikuesi është i martuar me një shtetase të huaj, është i ve ose është prind i vetëm”, thuhet në njoftim.

Nga kjo ministri kanë bërë të ditur se aplikimi përmes platformës eKosova tashmë është i qasshëm edhe për personat, të cilët kanë fëmijë nën kujdestari ligjore.

“Në këtë rast, kujdestarit ligjor i kërkohet edhe ngarkimi i një dokumenti që dëshmon kujdestarinë ndaj fëmijës”.

Aplikimi për shtesa të fëmijëve për këtë muaj do të jetë i hapur nga data 1 deri më 20 dhjetor.

Të gjitha aplikimet që janë bërë përmes e-mail adresës pas datës 20 nëntor, luten që të aplikojnë sërish përmes sistemit në eKosova para datës 20 dhjetor. Vlen të theksohet se aplikimi i rregullt për Shtesa për Fëmijë vazhdon të bëhet nga nëna dhe se llogaria bankare do të jetë në emër të aplikueses, kurse aplikimi nga babai do të bëhet vetëm në raste specifike”, thuhet më tej në njoftim. /Zëri