Oda Ekonomike Amerikane paralajmëron Kosovën: Tensionet pengojnë investimet
Foto: Laura Hasani

Oda Ekonomike Amerikane paralajmëron Kosovën: Tensionet pengojnë investimet

Ekonomia June 08, 2023 - 10:34

Oda Ekonomike Amerikane, përmes një deklarate, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të marrë veprimet e duhura, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për situatën e krijuar në veri.

Në reagimin e saj thuhet se situata delikate në veri bën që Kosova të mos jetë një vend i favorshëm për investitorët e huaj, pasi ata kërkojnë mjedise të qëndrueshme e të sigurta për të zhvilluar bizneset e tyre, shkruan Zeri.info.

Oda Ekonomike Amerikane ka ritheksuar faktin që SHBA-ja ka qenë një mbështetëse e madhe si në pavarësinë e Kosovës, si dhe ka pasur rol kyç në zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, prandaj ata shprehen se thirrjet e SHBA-së nuk duhet injoruar.

“Po ashtu, SHBA-ja ka qenë një partner jetik në avancimin e aspiratave të Kosovës për integrim evropian, duke avokuar për liberalizimin e vizave dhe duke mbështetur përparimin e vendit drejt anëtarësimit në BE. SHBA-ja është tregu numër një në botë për produktet e Kosovës, ndërsa në të njëjtën kohë, shumë kompani amerikane kontribuojnë në mënyrë aktive në zhvillimin ekonomik të vendit në sektorë si ndërtimi dhe patundshmëria, energjia, shëndetësia dhe teknologjia informative. Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës vazhdon të ofrojë mbështetje direkte financiare për Kosovën përmes Agjencisë së saj për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC)”, thuhet ndër të tjera.

Rëndësi të njëjtë sipas Odës Ekonomike Amerikane ka pasur edhe Bashkimi Evropian që ka mbështetur Kosovën në shumë fusha, duke ofruar ndihmë financiare, ekspertizë teknike dhe udhëzime për reforma në sektorë të ndryshëm, prandaj ata e shohin të arsyeshme që Qeveria e Kosovës të koordinohet edhe me BE-në, duke marrë parasysh situatën socio-ekonomike në të cilën ndodhet Kosova.

“Prandaj, duke marrë parasysh ndikimin që ka situata aktuale në zhvillimet socio-ekonomike në përgjithësi, dhe në sektorin privat dhe përpjekjet për tërheqjen e investimeve në veçanti, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon nga Qeveria e Kosovës që menjëherë t'i marrë parasysh thirrjet nga SHBA-ja dhe BE-ja për shtensionimin e situatës në veri të vendit”, thuhet ndër të tjera. /Zëri