Dyshimet për përmbajtje hormonesh në domatet nga Shqipëria, nga janari Kosova importoi mbi 4 milionë kg

Dyshimet për përmbajtje hormonesh në domatet nga Shqipëria, nga janari Kosova importoi mbi 4 milionë kg

Ekonomia June 08, 2023 - 10:46

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është në pritje të rezultateve të testeve laboratorike të mostrave, të dërguara për domatet që janë importuar nga Shqipëria. Ato dyshohet se mund të përmbajnë sasi të larta të hormoneve, që janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut.

E varësisht nga rezultatet e testeve, AUV-i do të ndërmarrë edhe veprime. Kështu ka thënë për Telegrafin një ditë më parë zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi.

“Si AUV kemi marrë masa shtesë të kontrollit, me theks të veçantë kontrollin e domateve me origjinë nga Shqipëria. Përveç kontrollit të rregullt dhe analiza rutionre, në këtë rast janë marrë mostra /kampione përfaqësuese të regjioneve të caktuara prodhuese prej nga importohen këto produkte, të njëjtat janë dërguar në laboratorë jashtë vendit me qellim testimi në kontaminuës kimikë / mbetje të pesticideve (Përcaktimi i nivelit maksimal të mbetjeve-MRL në produkt). AUV-i është në pritje të rezultateve të testeve laboratorike të mostrave zyrtare të dërguara. Pas pranimit të rezultateve të testeve analitike, varësisht nga gjetjet do të merren veprime/masa zyrtare”, ka thënë Thaçi.

Telegrafi ka pyetur në Doganën e Kosovës se sa ka qenë sasia e domateve të importuara nga Shqipëria për në Kosovë.

Sipas statistikave të dhënave nga Dogana e Kosovës të publikuara në uebfaqe, në periudhën janar-qershor nga Shqipëria janë importuar rreth 4.5 milionë kilogramë domate, vlera e të cilave kap shifrën e 3 milionë e 029 mijë e 462 eurove. Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, importi më i madh i domateve në këtë periudhë është bërë nga Turqia, ku janë importuar 5,110,931.00 kilogramë në vlerë prej 4 milionë e 521 mijë e 356 euro.

Image

Pas Shqipërisë dhe Turqisë, Kosova ka importuar domate edhe nga Greqia, Italia, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Në total nga 1 janari i këtij viti e deri më sot 8 qershor, në territorin e Kosovës nga këto vende janë importuar 9,904,735.00 kilogramë domate në vlerë prej 7 milionë e 741 mijë e 532 euro.Taksat që i janë paguar shtetit të Kosovës nga këto importe janë 1 milionë e 722 mijë e 096.