Peci: Kosova do t’i ketë 18 milionë litra qumësht nga viti 2024 e tutje

Peci: Kosova do t’i ketë 18 milionë litra qumësht nga viti 2024 e tutje

Ekonomia June 10, 2023 - 14:58

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, përmes një postimi në Facebook tha se nga viti 2024 e tutje, Kosova do të ketë 18 milionë litra qumësht nga viti 2024 e tutje.

Sipas tij, kjo do të ndodh falë përkrahjes nga Programi për Zhvillim Rural 2023 e që do të hapet së shpejti.

“18 milionë litra qumësht nga viti 2024 e tutje, do t’i ketë Kosova falë përkrahjes nga Programi për Zhvillim Rural 2023 e që do të hapet së shpejti. Bashkë me zv/ministrin Agon Dobruna gjatë bashkëbisedimit me Luan Markajn nga fshati Korenicë, një blegtor i cili gjatë periudhës së Qeverisjes sonë, falë mbështetjes konkrete institucionale, ka rritur numrin e lopëve qumështore nga 15 në 31 krerë e numrin e viçave për majmëri nga 5 deri në 25 krerë”.

“Krahas fermës, Luani punon zellshëm tokën. Ai ka trefishuar sipërfaqet e mbjella me misër nga 8 hektar në 21ha, ndërsa ka dyfishuar sipërfaqen e mbjellë me grurë nga 5ha në 11 hektar. Gjithsej me tokë të punueshme e kullosa, Luani posedon 120ha”.

Tutje, Peci është shprehur se Ministria e Bujqësisë është në shërbim të fermerëve.

“Kudo, shoh e takoj bujq të zellshëm e mbi të gjitha të kënaqur me punën tonë e kjo më inspiron akoma më shumë që t’i kontribuoj me të gjithë arsenalin si Ministër, drejt zhvillimit dhe qëndrueshmërisë së sektorit të bujqësisë dhe bujve meritorë. Gjatë qeverisjes sonë, Ministria është në shërbim të fermerëve! Kemi instaluar meritokraci dhe kemi ri-vendosur besimin e fermerëve në institucione duke larë borxhet e të tjerëve që përmes premtimeve boshe kanë mashtruar me vite”.

“Kemi rritur konkretisht përkrahjen financiare e për këtë kemi dëshmitarë bujqit në çdo cep të Kosovës si dhe kemi eleminuar burokracitë e panevojshme duke rritur kontrollin në teren. Qeveritë qyqare të së kaluarës, kanë abuzuar me fermerët duke ua vendosur lakun në fyt e duke ofruar lëmoshë e jo atë se çka kanë merituar. Por kjo i përket së kaluarës ashtu si edhe ata që mundohen të sillen si dikush që nuk janë por i tradhton memoria kolektive”, ka shkruar tutje ai.