AKP-ja e fiton rastin gjyqësor në Mal të Zi, kthen tetë asete
Agjencia Kosovare e Privatizimit e ka fituar rastin dhe ka kthyer tetë asete të KBI Kosova Export – Industria e Mishit Fushë-Kosovë në Mal të Zi në emër të kësaj ndërmarrjeje.
Agjencia Kosovare e Privatizimit në fillim të këtij viti e ka kuptuar që tetë asete në Mal të Zi të KBI Kosova Export – Industria e Mishit Fushë-Kosovë janë shitur nga Agjencia për Likuidimin e Personave Juridik Privat të Republikës së Serbisë dhe janë regjistruar në emër të personave fizikë në Drejtorinë Kadastrale në Podgoricë.
AKP-ja ka parashtruar ankesë kundër aktvendimit të datës 24.01.2023 të Drejtorisë Kadastrale në Podgoricë lidhur me ndërrimin e titullarëve të pronësisë në asetet e KBI Kosova Export – Industria e Mishit Fushë-Kosovë, në Mal të Zi, në shkallën e dytë administrative kompetente, që është: Ministria për Planifikim, Urbanizëm dhe Pronë e Republikës së Malit të Zi.
“Më 29 nëntor 2023, AKP-ja ka pranuar aktvendimin e shkallës së dytë administrative (“Broj: 07-2-1083/2008”), në Podgoricë, me të cilin është aprovuar ankesa e AKP-së, duke anuluar aktvendimin e Drejtorisë për Kadastër në Podgoricë, me të cilin këto asete ishin regjistruar në emër të personave fizikë në Podgoricë, pasi ishin shitur nga Agjencia për Likuidimin e Personave Juridikë Privatë të Republikës së Serbisë në mënyrë të paligjshme”, thuhet në njoftimin e AKP-së.
Si rezultat i ankesës së AKP-së, Shkalla e Dytë Administrative në Podgoricë e ka aprovuar ankesën e AKP-së me ç’rast tetë asetet janë rikthyer në emër të KBI Kosova-Export Industria e Mishit Fushë-Kosovë. /Zëri