Korenica: S’ka pengesë për Serbinë që të transferojë dinarë në Kosovë, por ato do të konvertohen në euro

Korenica: S’ka pengesë për Serbinë që të transferojë dinarë në Kosovë, por ato do të konvertohen në euro

Ekonomia April 05, 2024 - 17:47

Deputeti i VV-së, Visar Korenica, sa i përket çështjes së përdorimit të dinarit serb thotë se nuk ka pengesë në qoftë se Serbia transferon valutë dinari në një bankë të licencuar në Kosovë.

Sipas tij, kjo mund të bëhet me kushtin që banka e licencuar në Kosovë t’i konvertojë mjetet në euro, që pastaj ato të mund të përdoren nga qytetarët serbë në veri.

I pyetur se a mund të jetë si opsion që të hapët në veri një bankë që nuk është as e Kosovës, por me prejardhje ndërkombëtare dhe aty Serbia t’i deponojë mjetet, Korenica tha se tërheqja e pagesave ditore do të bëhet vetëm në euro dhe jo si në të kaluarën.

“Kurrfarë pengese nuk ka nëse bëhet një transfer me valutë dinari nga banka e Serbisë në një bankë të licencuar në Kosovë e që pastaj këto mjete konvertohen dhe përfituesit final që janë qytetarët e Republikës së Kosovës në veri të vendit, ato t’i tërheqin në valutën euro. Kjo është ajo çfarë duhet të jetë në terren, pra të bëhen transfere elektronike nga jashtë për përfitues të caktuar. Mirëpo, për tërheqje të monedhave për shfrytëzim të pagesave ditore valuta finale, pra ajo që ne e përdorim në përditshmërinë tonë është euroja, pra nuk mundet të bëhet një pagesë me dinar sikurse që është bërë në të kaluarën”, tha ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Dje është realizuar një takim në Bruksel, ku Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të pajtohen për çështjen e dinarit serb, i cili u ndalua në Kosovë më 1 shkurt.

Kryenegociatorët e të dy vende kanë akuzuar njëri-tjetrin për mungesë vullneti për të gjetur një zgjidhje. Por, Bashkimi Evropian tha se ka pasur përafrim të qëndrimeve sa i përket dinarit./teve1