34 të rinj përfitojnë grante për të hapur bizneset e tyre

34 të rinj përfitojnë grante për të hapur bizneset e tyre

Ekonomia April 06, 2024 - 09:54

34 të rinj kanë përfituar grante për të hapur bizneset e tyre.

Njoftoi kështu Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, teksa kanë bërë të ditur se në kuadër të kësaj mase, të rinjtë fillimisht janë trajnuar për ndërmarrësi dhe zhvillim të planeve të biznesit.

Ndërsa, ministri i Financave, Hekuran Murati, në takim më ta, ka thënë se MFPT po fuqizon të rinjtë të materializojnë idetë e tyre, kur përveç mbështetjes financiare, do të kenë edhe monitorim në fillimet e operimit të bizneseve.

“Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Z. Hekuran Murati së bashku me Drejtorin e GIZ në Kosovë, Z. David Oberhuber dhe Drejtoreshën e Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës, Znj. Jehona Rexha, takuan sot 34 përfituesit nga masa e vetëpunësimit. Në kuadër të kësaj mase, të rinjtë fillimisht janë trajnuar për ndërmarrësi dhe zhvillim të planeve të biznesit, e ku në mesin e mbi 100 të trajnuarve, 34 sosh janë përzgjedhur për të qenë përfitues të granteve individuale me vlerë deri në 3,000 euro. Ideatorët e planeve të përzgjedhura u pritën sot nga Ministri Murati i cili ritheksoi mbështetjen ofruar të rinjve në punësim dhe vetëpunësim.

Ndër të tjera, Ministri Murati shprehi se “ si MFPT, po fuqizojmë të rinjtë të materializojnë idetë e tyre duke hapur biznese ku përveç mbështetjes financiare, ofrojmë edhe mentorim përgjatë muajve të parë të operimit të biznesit”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Financave.

Tutje, thuhet se pjesa e dytë e takimit u fokusua në një diskutim të hapur ndërmjet Muratit dhe të rinjve përfitues, ku këta të fundit patën mundësi të shpalosin idetë e tyre por edhe të marrin këshilla në rrugën e tyre drejt ndërmarrësisë.