Murati njofton për bartjen e të hyrave vetanake të komunave, vlera 60 milionë euro
Foto: Laura Hasani

Murati njofton për bartjen e të hyrave vetanake të komunave, vlera 60 milionë euro

Ekonomia April 11, 2024 - 12:00

Ministri i Financave Hekuran Murati, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se është bërë bartja e të hyrave vetanake të komunave, në vlerë prej 60 milionë eurove.

Murati tha se bartja në këtë formë është bërë për të hyrat vetanake që kanë qenë të alokuara, kurse për pjesën e paalokuar, bartja sipas ministrit bëhet me vendime të kuvendeve komunale përkatëse.

“Në pajtim me Nenin 9.6 të Ligjit të Buxhetit, sot kam miratuar bartjen e të hyrave vetanake të komunave në vlerë prej 60 milionë eurove. Bartja në këtë formë bëhet për të hyrat vetanake që kanë qenë të alokuara, kurse për pjesën e paalokuar, bartja bëhet me vendime të kuvendeve komunale përkatëse”, ka njoftuar Murati.

Javën e kaluar drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka kërkuar nga ministri i Financave, Hekuran Murati, që t’u barten komunave paratë që u takojnë në kuadër të të hyrave vetanake.

“Në takimin e Kolegjiumit të drejtorëve komunal për buxhet dhe financa në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), u ngrit shqetësimi nga komunat që bartja e të hyrave vetjake, e që kjo shkon në dhjetëra miliona euro, ende nuk është realizuar nga ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT). Bazuar edhe në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike (LMFPP), të hyrat vetanake të komunave barten në vitin fiskal duke ruajtur strukturën e shpenzimit. Këtë e kanë bërë komunat gjatë hartimit dhe miratimit të buxheteve komunale për vitin 2024”, ka thënë Ibrahimi.

Ibrahimi deklaroi se komunat nuk do të mund të realizojnë shumë projekte kapitale, do të shkaktohen vonesa në pagesat ndaj operatorëve ekonomikë e do të dëmtohen komunat në raportet e auditimit.