Kryesindikalisti i “Trepçës”: Kryeshefi na ka premtuar që brenda javës del pjesa tjetër e pagës

Kryesindikalisti i “Trepçës”: Kryeshefi na ka premtuar që brenda javës del pjesa tjetër e pagës

Ekonomia April 11, 2024 - 13:33
Nga Igballe Potera

Minatorët e “Trepçës” po vazhdojnë të përballen me problemin e njëjtë, mungesën e pagave.

Mëngjesin e sotëm ndërrimi i parë i punëtorëve të “Trepçës” nuk kanë punuar për shkak se ende nuk i kanë marrë pagat e plota.

Për këtë situatë ka folur për “Zërin” Gani Osmani, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, duke u shprehur se edhe për këtë muaj pagat nuk janë stabilizuar.

Ai tha se 40% të pagës janë marrë para dy ditësh, ndërsa një pjesë tjetër nuk është marrë fare, ndërkaq ai tha se nga ora 11:00 është marrë pjesa tjetër e pagës të punëtorëve të “Trepçës”.

“Pagat për këtë muaj nuk janë stabilizuar, i kem marrë natën e Bajramit, një pjesë e minatorëve i ka marrë 40%, ndërsa një pjesë nuk i kanë marrë fare. Banka nuk i ka shpërnda deri pak para një ore, nuk i kanë marrë një numër i minatorëve, vetëm NLB-ja i ka qit”, u shpreh Osmani për Zeri.info.

Osmani tha se për muajin e kaluar pagat kanë qenë të plota dhe se pritet që edhe tash të stabilizohen.

Për këtë situatë Osmani u shpreh se kanë biseduar me kryeshefin e ri të ndërmarrjes “Trepça”, Bashkim Kurti dhe ai, sipas Osmanit, iu ka premtuar që brenda javës do të dalë edhe pjesa tjetër.

“Muajin e kaluar janë marrë pagat e plota, kryeshefin e ri e thirrëm tash ishte këtu, punëtorët e kanë thirrë, pra ndërrimi i parë nuk ka punuar, ata dhanë premtimin që brenda javës ka me dalë edhe pjesa tjetër. Një garancion na kanë jep, tash nuk e di çka do të ndodhë”, tha Osmani. /Zëri