Mbi 112 milionë euro erdhën nga diaspora gjatë marsit

Mbi 112 milionë euro erdhën nga diaspora gjatë marsit

Ekonomia April 26, 2024 - 08:58

Banka Qendrore e Kosovës ka publikuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin mars 2024.

Sipas këtij publikimi, remitancat në shkurt të këtij viti arritën vlerën 85.58 milionë euro, transmeton Zeri.info.

Ndërsa, sipas vlerësimeve preliminare remitancat për muajin mars 2024 ishin rreth 112.13 milion euro, duke arritur kështu vlerën për tre muajt e parë të vitit 2024 në 284.07 milionë euro.

Prurjet më të mëdha edhe gjatë muajit mars kanë qenë përmes IFJB 61.46%, përmes bankave komerciale 15.20%, ndërsa, kanalet e tjera 23.34%.

Asetet e ndërmjetësve të tjerë financiarë në fund të muajit mars 2024 kanë arritur vlerën e 564.49 milionë eurove, duke shënuar rritje për 9.26 milionë euro.

Struktura e aseteve të sektorit mikrofinanciar dominohet nga kreditë, të cilat përbëjnë 66.78% të gjithsej aseteve.

Kreditë bruto të ndërmjetëseve tjerë financiar në mars 2024 arritën vlerën e 376.96 milionë eurove, e cila përfaqëson rritje për 6.32 milionë euro krahasuar me periudhën paraprake. Sipas sektorëve, kreditë ndaj ekonomive familjare dominojnë me 60.36% në totalin e kredive të sektorit mikrofinanciar.

Vlera e kredive të reja të emetuara nga ndërmjetësit tjerë financiar në muajin shkurt 2024 ishte 38.13 milionë euro.

Kompanitë e sigurimeve

Asetet e kompanive të sigurimit në fund të muajit mars 2024, arritën vlerën e 314.83 milionë eurove, e cila përfaqëson rritje për 2.11 milionë euro krahasuar me muajin paraprak.

Struktura e aseteve në sektorin e sigurimeve përbëhet nga bilanci me bankat komerciale, që përbëjnë 45.14%, letrat me vlerë dhe asetet e tjera 29.10% dhe risigurimet me pjesëmarrje 15.03%.

Fondet pensionale

Asetet e fondeve pensionale në fund të muajit mars 2024 kanë arritur vlerën e 2.87 miliardë eurove, e cila përfaqëson rritje për 74.14 milionë euro.

Struktura e aseteve të sektorit pensional dominohet nga letrat me vlerë të kapitalit, që përbëjnë 75.26% të gjithsej aseteve. /Zëri