Nënkalimi në rrugën “Agim Ramadani”, pas procedurave, pritet të përfundojë brenda 6 muajve
Foto: Laura Hasani

Nënkalimi në rrugën “Agim Ramadani”, pas procedurave, pritet të përfundojë brenda 6 muajve

Ekonomia June 09, 2024 - 08:05

Pas “Rrugës A”, investimi për ndërtimin e nënkalimit në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, konsiderohet nga Komuna si ndër projektet më madhore.

Zyrtarët sqarojnë se projekti është në fazën e tenderimit. Pas mbarimit të procedurave, kohëzgjatja e ndërtimit do të jetë 6 muaj. Do të punohet në dy faza dhe në dy ndërrime.

“Ky projekt parasheh që pjesa e vjetër e qytetit të ndërlidhet në kuptimin e krijimit të një sheshi në platformën mbi ekzistuese dhe pasta të bëhet nënkalim në pjesën tjetër e njëjta fillon pas pjesës së teatrit kombëtar dhe përfundon tek stacioni prapa komunës së Prishtinës. Prej momentit të fillimit të punimeve deri në përfundim, janë 6 muaj, themi 6 muaj se është një kohë e shpejtë”, tha për RTK-në, Donat Lushaku, zëdhënës i komunës së Prishtinës

Duke folur për këtë projekt, në INPO, organizatë kjo që monitoron punët e komunave, thonë se kanë rekomanduar në të kaluarën për kujdes, në përpilimin e kritereve të dosjes së tenderit.

“Vetëm të nënkalimi Agim Ramadani i ka tre formular të publikuar për korrigjimin e gabimeve vetëm në bazë të një raporti të publikuar vitin e kaluar del se Prishtina prin sa i përket korrigjimeve të dosjes së tenderit, kjo është shqetësuese sepse po të mos kishte reagime nga operatorët ekonomik gabimet do të vijonin tutje”, tha Valmir Ilazi, hulumtues në INPO.

E në Lëvizjen Vetëvendosje që është në opozitë në Prishtinë, shprehin skepticizëm për ndërtimin e këtij nënkalimi, ndonëse e konsiderojnë të rëndësishëm.

“Në këtë pjesën të ‘Agim Ramadani’ mendoj se si projekt është i mirë, sa ka me qenë i realizueshëm jemi skeptik duke pas parasysh se vitin e kaluar këta kanë thanë që kem me qitë në tenderim e sene, për 2024 ka qenë dashtë të zhvillohet ky në bazë të ekzekutivit por na po shohim që jemi në qershor dhe nuk ka filluar ende”, tha Besart Krasniqi, asamblist i LVV-së në Prishtinë.

Ndërtimi i nënkalimit në rrugën “Agim Ramadani”, parashikohet të kapë vlerën e 6 milionë eurove.