
Kapetanoviq në Forumin e Dubrovnikut: Tregu i Përbashkët Rajonal është testi ynë, mundësia dhe ura jonë drejt BE-së
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Amer Kapetanoviq, mori pjesë dje në Forumin e Dubrovnikut 2025, me temën “Duke drejtuar ndryshimin” (Channeling the Change), i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë në Dubrovnik.
Në fjalën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i RCC-së, Kapetanoviq, theksoi se: “Bashkëpunimi rajonal kurrë nuk ka qenë opsional. Ai është një provë gjenerale përpara se të arrijmë objektivat dhe destinacionet tona. Bashkëpunimi rajonal është vendi ku mësojmë të bëjmë kompromise, të ndërtojmë konsensus dhe të ndajmë përgjegjësi. Tregu i Përbashkët Rajonal është testi ynë, mundësia jonë dhe ura jonë drejt Bashkimit Evropian”.
Sekretari i Përgjithshëm i RCC-së, Amer Kapetanoviq, mori pjesë në panelin e nivelit të lartë “Ballkani Perëndimor dhe Rruga Euro-Atlantike: Besimi, Transparenca, Transformimi”, i cili u fokusua në rrugën e integrimit të rajonit dhe rolin e bashkëpunimit, besimit dhe llogaridhënies në arritjen e stabilitetit afatgjatë. Diskutimi eksploroi mënyrat se si rajoni mund të ndërtojë themele më të forta për integrimin e tij euro-atlantik përmes dialogut gjithëpërfshirës, pronësisë rajonale dhe përkushtimit për bashkëpunim më të thelluar në agjendat politike dhe ekonomike.
Në kuadër të Forumit, Sekretari i Përgjithshëm Kapetanoviç zhvilloi takime me Martin Dvorak, Ministër për Çështje Evropiane i Çekisë dhe Nasser Kamel, Sekretar i Përgjithshëm i Unionit për Mesdheun. Diskutimet u përqendruan në procesin e integrimit evropian dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal. Forcimi i bashkëpunimit rajonal gjatë përmbylljes së procesit të integrimit evropian mbetet një faktor kyç për garantimin e stabilitetit dhe zhvillimit afatgjatë të mbarë Evropës. /Zëri