
Antalia destinacion i preferuar i kosovarëve, por “Eurokoha” ofron edhe oferta për hotelet në Shqipëri
Kur vjen koha për pushime verore kosovarët tash e sa vite e kanë dëshmuar se destinacion të preferuar e kanë Antalian.
Kështu tha Dea Llalloshi, nga kompania turistike “Eurokoha”.
“Realisht, klientela jonë e cakton një buxhet dhe ne mundohemi t’i përshtatemi buxhetit të cilin e kanë caktuar. Ama në përgjithësi kursejnë gjatë vitit dhe në fund e kursejnë veten me një pushim njëjavor ose edhe më shumë. Ka pasagjerë që kërkojnë edhe më shumë net qëndrimi në Antalia, është zona e tyre e preferuar... Prej përvojës shumëvjeçare, destinacion kryesor për sezonin e verës ne e kemi pjesën e Antalias, zonat e Antalias realisht janë më të kërkuara dhe janë shumë më të përshtatshme për familjarë, kështu që pikën kryesore ne e kemi Antalian. Patjetër, ne jemi të hapur për krejt kërkesat, por që fokusi më i madh është aty”, tha Llalloshi.
Mirëpo, pavarësisht kësaj, ajo thotë se përsëri klientët e tyre nuk e lënë anash as Shqipërinë.
“Te ne, shembull, shkojnë në Antalia një javë, mandej edhe kthehen, edhe nuk e lënë pa shkuar edhe nja 2-3 ditë në Shqipëri, sepse janë mësuar me vendin e vet”, u shpreh ajo.
E pyetur nëse “Eurokoha” ofron paketa turistike edhe për Shqipëri, ajo tha: “Nëse kërkon, po, ofrojmë. Po zakonisht kemi vetëm linja ajrore, kështu që ne mundemi vetëm hotele të sigurojmë për në Shqipëri, kështu që po”, theksoi Llalloshi. /Zëri