Jeta dhe shëndeti i punëtorëve në duart e fatit
Foto: Laura Hasani

Jeta dhe shëndeti i punëtorëve në duart e fatit

Ekonomia July 23, 2025 - 09:29

Në këtë fillim javë dy persona humbën jetën në vendin e tyre të punës në Gjakovë, ndërsa një tjetër në Istog. Inspektorati Qendror i Punës tha se në gjashtë mujorin e parë ka kryer 4751 inspektime, ka shqiptuar 788 gjoba ndërkaq, kanë ndodhur 268 aksidente, prej tyre 7-të me fatalitet.

“Nga janari deri më sot kanë ndodhur 7 aksidente me fatalitet dhe kjo është shifra zyrtare nga Inspektorati Qendror i Punës, të gjitha shifrat e tjera që publikohen nga persona të tjerë të paautorizuar dhe jokompetent nuk janë të sakta dhe krijojnë pasiguri dhe dezinformojnë opinionin publik”

Tjera të dhëna ka publikuar Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat. Sipas kësaj sindikate tri viktimat e së hënës shtuan numrin e rasteve të vdekjes në vendin e punës në18-të për 7-mujorin e parë të këtij viti. Kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi thotë se 2025-ta është vit i kobshëm për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve në Kosovë.

“…këta punëtorë nuk kanë mekanizëm të mbrojtjes adekuate konform ligjit mbi sigurinë dhe shëndetin në punë. Me këtë opinioni është i njoftum dhe po dihet që pronari i kompanisë si personi i parë që është i obliguar që ta ruaj sigurinë dhe shëndetin në punë nuk është duke e kryer misionin e vet aspak. Siguria dhe shëndeti i punëtorëve ka mbetur në duart e Zotit. Deri më tash sipas statistikave viti 2025 është vit i kobshëm sepse derisa vitin e kaluar kemi pasur 12 raste të vdekjeve, këtë viti ende pa u mbushë 7 muaj i kemi 18 raste të vdekjeve në vendin e punës…”, tha Azemi.

Sipas Naim Bajraktarit, ekspert i sigurisë dhe shëndetit në punë, shkaktarë të lëndimeve dhe vdekjeve të punëtorëve në vendin e tyre të punës janë mos marrja e masave adekuate sidomos nëpër vendpunishte.

“…shkeljet më të shpeshta në vendpunishte janë mosmarrja e masave elementare. Sigurimi i pajisjeve mbrojtëse elementare, mjetet e testuara të punëtorëve, pastaj edukimi i punëtorëve, trajtimi se si të mbrohen dhe të ruajnë shëndetin. Kohën e fundit po ndodhin edhe ramjet nga lartësia, kjo po ndodhë nga pakujdesia por edhe nga mos testimi i skeleve…”, tha Bajraktari për rtv21

Dy persona janë ndaluar për 48 orë pas ngjarës tragjike, ku dy persona humbën jetën dje në një vendpunishte Gjakovë njoftoi Prokuroria Themelore në Gjakovë. Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se subjekti ku ndodhi aksidenti ka qenë më herët dy herë i gjobitur nga Inspektorati i Punës për shkelje të përsëritura në këtë fushë.