
Punëtorëve të ATK-së nuk u rriten pagat, reagon Sindikata e Punëtorëve
Sindikata e Punëtorëve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) ka reaguar pas deklaratave të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili dje tha se shërbyesit civilë do të marrin pagat me rritje prej 55 eurosh.
Sindikata e Punëtorëve të ATK-së i ka quajtur deklaratat e Muratit si të pavërteta, pasi sipas tyre, punëtorëve të ATK-së nuk u janë rritur pagat as edhe një euro gjatë mandatit të tij, transmeton Zeri.info.
Sipas tyre, deklaratat e qeveritarëve se pagat janë rritur për të gjithë shërbyesit civilë nuk janë të vërteta.
“Pas postimit të ministrit Murati, Sindikata e Punëtorëve të Administratës Tatimore të Kosovës shpreh reagim ndaj të PA VËRTETAVE të ministrit Murati, lidhur me rritjen e pagave për shërbyesit publikë, ku sipas tij kompletohet rritja prej 110 €, por në fakt Ministri ka harruar zyrtarët e tij vartës në të gjitha fazat e këtij procesi, pra zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës të cilët pikërisht ata e mbushin arkën e shtetit, pjesës dërmuese nuk ju është rritur paga as edhe një euro të vetme në mandatin e tyre”.
“Deklarimet nga qeveritaret se të gjithë shërbyesve publikë u është rritur paga, madje disa herë, nuk është e vërtetë dhe as e saktë, për hir të informimit të drejtë të publikut, nga kjo rritje përfitojnë vetëm një pjesë e shërbyesve publikë, po ashtu edhe në ATK vetëm një pjesë përfton rritje, prandaj deklarimet e tilla duhet të jenë të vërteta dhe të sakta sepse jo të gjithë përfitojnë rritje të pagave siç thuhet”, thuhet në reagim.
Tutje thuhet se që nga hyrja në fuqi e ligjit të ATK-së, Ministri Murati personalisht ka premtuar që do e nënshkruaj rregulloren për sistematizimin e vendeve të punës, por që fatkeqësisht nga muaji shkurt i vitit 2024 ajo rregullore është pluhurosur në sirtarët e Ministrit.
“Me mosmiratimin e kësaj rregulloreje, nuk vlerësohet angazhimit i stafit të ATK-së, përkundër vëllimit të madh të punës, që si rrjedhojë po ndodhin edhe dorëheqje të shumta të stafit të kualifikuar (mbi 850 sa ishin, sot janë nën 700 zyrtarë, përfshirë dhe pensionimet), ky neglizhim i stafit të ATK-së nga ana e ministrit pa asnjë arsye dhe pa kurrfarë kuptimi, ka shfaqur një zhgënjim për punëtoret e ATK-së”.
“Ne jemi të gatshëm për të gjitha mediat, që janë të interesuar për vërtetësinë e këtyre fakteve, mund të japim dëshminë e pagave tona para dhe pas “deklarimeve qeveritare për rritjen e pagave”, dhe të dëshmohet se nuk ka rritje siç pretendohet”, thuhet në reagimin e sindikatës së punëtorëve të ATK-së. /Zëri