
AKB: Edhe 6 muaj bizneset të të furnizohen me çmim të rregullt të energjisë
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar ndaj kërcënimeve dhe paralajmërimeve të ZRRE-së, KEK-ut dhe KESCO-s, të cilat po u kërkojnë bizneseve që deri më 1 gusht të nënshkruajnë kontrata të reja furnizimi me energji elektrike, përndryshe do t’ua ndërpresin furnizimin dhe do t’i lënë në terr.
Sipas kryetarit të AKB-së, Agim Shahini, kjo është një formë e papranueshme presioni dhe shantazhi ndaj sektorit privat, që tashmë po përballet me çmime të larta, pasiguri ligjore dhe mungesë mbështetje institucionale.
“AKB-ja kërkon që për të paktën edhe 6 muaj të gjitha bizneset të vazhdojnë të furnizohen me çmim të rregullt të energjisë elektrike, në mënyrë që të kenë kohë të mjaftueshme për të negociuar kontrata të drejta dhe transparente, pa kërcënime dhe pa rrezikuar ndërprerje që do të dëmtonin rëndë ekonominë. Njëkohësisht, shumë biznese tashmë i janë drejtuar gjykatave me ankesa kundër vendimeve të ZRRE-së, duke e kundërshtuar ashpër mënyrën e imponimit të këtyre kontratave dhe tarifave. Është momenti që ZRRE të reflektojë dhe të ndalë këto veprime të njëanshme, duke u ulur në tryezë me komunitetin e bizneseve për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme dhe të drejta. Nuk mund të lejohet që sektori privat, që gjeneron mijëra vende pune dhe mban gjallë ekonominë, të mbahet peng nga vendime të padrejta dhe të nxituara”, ka thënë Shahini.
Ai ka theksuar se AKB-ja do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri interesat e bizneseve dhe të kërkojë politika të drejta, transparente dhe zhvillimore për ekonomin e Kosovën.