Tregu i hapur: 90% e rreth 1300 bizneseve rrezikojnë të mbesin pa rrymë pas 30 korrikut

Tregu i hapur: 90% e rreth 1300 bizneseve rrezikojnë të mbesin pa rrymë pas 30 korrikut

Ekonomia July 29, 2025 - 22:43

Më shumë se 90% e rreth 1300 bizneseve të mëdha, që u nxorën në tregun e hapur të energjisë elektrike nga 1 Qershori, rrezikojnë të mbesin në terr pas 30 Korrikut.

Kjo pasi të mërkurën përfundon periudha 60 ditore e furnizimit të përkohshëm nga Korporata Energjetike e Kosovës, si Furnizues i Mundësisë së Fundit.

Ditë më parë ndërmarrja publike, njoftoi se, sipas afateve ligjore, e mërkura është dita e fundit e furnizimit të përkohshëm të bizneseve me më shumë se 50 punëtorë ose më shumë se 10 milionë euro qarkullim vjetor.

Në Shoqatën e Prodhueseve, në kuadër të Odës Ekonomike, thanë se bizneset që ende nuk kanë bërë padi dhe ato që janë në pritje që Gjykata Komerciale të pezullojë vendimin e ZRRE-së, janë të detyruara të nënshkruajnë kontrata.

Teksa njoftoi se bizneset që fituan masën e sigurisë janë kthyer në furnizimin me çmime të rregulluara, kryetari i kësaj shoqate, Kushtrim Ajvazi, përsëriti kërkesën që procesi të ndërpritet përkohësisht.

“Kemi vendime prej Gjykatës për masën e pezullimit dhe të sigurisë, ku është vendosur në favor të bizneseve. Fatkeqësisht, është gjithashtu e vërtetë, që rastet po trajtohen në mënyrë individuale, mirëpo në një situatë të tillë do të duhej që ZRRE-ja, së paku, të merrte një vendim të pezullojë përkohësisht daljen në tregun e lirë, deri në vendimin e shkallës së dytë të Gjykatës”, ka thënë Ajvazi.

Duke treguar se ofertat që kanë marrë bizneset shkojnë deri në 200 euro për megavat orë dhe se u kërkohet depozitë për dy muaj, Ajvazi tha se ka prej atyre që nuk do ta përballojnë nënshkrimin e kontratave të furnizimit.

“Ka biznese të tilla të cilat kanë njoftu që nuk kanë mundësi në asnjë formë me pranua cmimin e tregut të lirë, sepse çmimi është dy deri në tre fish krahasuar me periudhën e kaluar. Likuiditeti i atyre kompanive është jashtëzakonisht i dobët. Thonë në fund të muajit duhet ta mbyllë biznesin, ka edhe biznese të tilla që besoj do të bëhen publike menjëherë nga fillimi i muajit gusht”, ka shtuar Ajvazi.

Teksa treguan numrin e kontratave të nënshkruara, në kompaninë private, KESCO, e cila sipas Odës Ekonomike ka monopol në oferta, thanë se çmimet diktohen nga bursa.

“Padyshim që interesimi ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë i lartë, sidomos në ditët e fundit marrë parasysh që KESCO është kompania me përvojën më të gjatë në furnizim dhe tregtim të energjisë në Kosovë. Deri tani kemi nënshkruar rreth 100 kontrata dhe jemi në proces të vazhdueshëm me dhjetëra kërkesa të tjera. Po punojmë me kapacitete të shtuara, në mënyrë që të përmbushim çdo kërkesë përpara datës 30 korrik, kur edhe përfundon furnizimi i përkohshëm nga KEK si Furnizues i Mundësisë së Fundit. Çmimet në tregun e hapur të energjisë siç dihet nuk janë të rregulluara, dhe të gjitha ofertat tona bazohen në çmimin e bursës ndërkombëtare HUPEX”, ka thënë zëdhënësja e KESCO-s, Margarita Rashiti.

Të martën, në një takim me biznese, Dhoma e Tregtisë, Oda Ekonomike Gjermane e Kosovës dhe Oda e Hotelerisë dhe Turizmit kërkuan që KEK-u të mos i shkyçë bizneset pas 30 Korrikut dhe ZRRE-ja të shtyjë procesin.

Në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë nuk lëvizin nga qëndrimi, duke thënë se po përmbushin obligimin ligjor.

“Është e rëndësishme të sqarohet se nëse pas përfundimit të afatit të dhënë konsumatori nuk lidh kontratë me një furnizues në tregun e lirë, atëherë FMF, sipas rregullave në fuqi dhe si masë tranzitore, ka të drejtë të ndërpresë furnizimin me energji elektrike, pasi nuk ka bazë ligjore për të vazhduar furnizimin pa kontratë valide”, kanë thënë nga ZRRE.

Nëpërmjet protestave, komuniteti i bizneseve i ka kërkuar ZRRE-së dhe Qeverisë që të shtyjë këtë procesin për vitin 2026, me qëllim të përgatitjes së bizneseve dhe të tregut të energjisë elektrike.