Bajrami: ZRRE-ja duhet ta pezullojë vendimin, përndryshe Prokuroria le të zbarkojë në zyrat e tyre

Bajrami: ZRRE-ja duhet ta pezullojë vendimin, përndryshe Prokuroria le të zbarkojë në zyrat e tyre

Ekonomia July 30, 2025 - 23:22

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), duke kërkuar që kjo e fundit ta respektojë vendimin e Gjykatës Komerciale  dhe ta pezullojë menjëherë vendimin për përjashtimin e rreth 1300 bizneseve nga shërbimi universal i furnizimit me energji elektrike.

Ajo ka theksuar se para datës 1 gusht, Prokuroria duhet të zbarkojë në zyrën e ZRrE-së.

“ZRrE-ja duhet ta pezullojë vendimin për përjashtimin e rreth 1300 bizneseve nga shërbimi universal i furnizimit me energji elektrike, në përputhje me vendimet e Gjykatës, deri në vendimin përfundimtar. Përndryshe, nesër, para datës 1 gusht, Prokuroria duhet të zbarkojë në zyrën e ZRrE-së dhe t’i pyesë: për interesat e kujt po punojnë ata aty? S’ka rrugë tjetër. Pikë”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Ajo ka publikuar edhe lajmin për vendimin e Gjykatës Komerciale, përmes së cilit është pezulluar përkohësisht vendimi i ZRrE-së që parasheh kalimin e bizneseve në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike.

Sipas këtij vendimi, masa e pezullimit do të vlejë deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës për këtë çështje.