Sindikata reagon: 21 punëtorë të vdekur brenda shtatë muajve
Foto: Zëri / Ilustrim

Sindikata reagon: 21 punëtorë të vdekur brenda shtatë muajve

Ekonomia July 31, 2025 - 12:55

Vdekja e një punëtori rreth 40-vjeçar në Prizren, i cili humbi jetën pas rënies nga kulmi i një ndërtese, ka nxitur reagimin e Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat të Kosovës.

Sipas kësaj federate, ky është rasti i 21-të me fatalitet në vendin e punës brenda shtatë muajve të parë të vitit 2025.

“Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti kemi humbur 21 punëtorë. 2025-a është kthyer në një prej viteve më tragjike për punëtorët që nga përfundimi i luftës. Ata dolën për të siguruar kafshatën e gojës dhe nuk u kthyen më në shtëpi. Kemi 21 familje që sot jetojnë me një boshllëk të pazëvendësueshëm”, thuhet në reagimin e Sindikatës.

Organizata sindikale ka kritikuar institucionet për mungesë veprimi dhe ka kërkuar përsëri që familjet e punëtorëve që humbin jetën në vendin e punës të mbështeten me pensione të dinjitetshme.

“U kemi bërë thirrje të gjitha institucioneve për dialog, por deri tani kërkesat tona janë anashkaluar. E kemi propozuar që shteti, të paktën, të garantojë një pension minimal për familjet e viktimave, sepse edhe fëmijët e tyre meritojnë të kenë kushte për jetë të dinjshme”, thuhet më tej në deklaratë.