Perimet vendore shkojnë jashtë, tregu mbushet me import
Foto: REL

Perimet vendore shkojnë jashtë, tregu mbushet me import

Ekonomia August 09, 2025 - 09:30

Fermeri Erbril Mazreku, 32-vjeçar nga komuna e Mamushës në rajonin e Prizrenit, ka të mbjellë rreth 2.5 hektarë tokë me domate në serrë.

Mazreku, nga mesi i muajit qershor deri në fillim të muajit gusht, ka mbledhur rreth 150 tonë domate dhe pret të vjelë edhe 150 të tjerë.

E gjithë kjo sasi është shitur në tregjet evropiane.

“Domatet në treg vendor nuk i shes. Çmimi është më i lirë, kurse jashtë i shes më shpejtë dhe me shtrenjtë. Të freskëta i dërgoj në një pikë grumbulluese këtu në Mamushë dhe ai i eksporton jashtë vendit. Çmimi sivjet është i mirë, 60 cent për kilogram, kurse në tregun vendor shkon më lirë”, i tha ai Radios Evropa e Lirë.

Në pikën grumbulluese Eurotaç, po në Mamushë, përveç domateve janë duke u grumbulluar edhe tranguj, lakra, qepë, patate, dhe pritet që së shpejti të fillojë edhe grumbullimi i specave. Shumica janë nga serrat dhe të gjitha eksportohen në vendet e Ballkanit dhe të Evropës.

Pronari i kësaj kompanie Nehat Thaçi, i tha Radios Evropa e Lirë se kërkesa për prodhime vendore e ka tejkaluar ofertën vendore.

"Sa të ofrojnë fermerët ne eksportojmë, specat dhe domatet janë shumë te kërkuara".

“Vetëm për 20 ditë të muajit korrik kemi eksportuar këto lloje të kulturave në vlerë të mbi 1 milion eurove, ndërsa deri në fund të sezonit kemi të kontraktuar sasi deri në 3 milionë euro”, tha Mazreku.

Ai tregoi se vitin e kaluar ka eksportuar sasi në vlerë të 1.5 milion eurove.

“Për çdo vit ka rritje të kërkesave për të gjitha këto produkte”, tha Mazreku për Radion Evropa e Lirë.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, për periudhën janar-qershor 2025, eksportet e perimeve kanë arritur vlera të konsiderueshme: domatet rreth 30 mijë euro, specat 50 mijë euro, trangujt 277 mijë euro, ndërsa patatet afro 1.1 milion euro.

Këto shifra nuk përfshijnë muajin korrik, kur zakonisht arrihet kulmi i prodhimit dhe eksporti i këtyre kulturave.

Image
Pronari i pikës grumbullese Eurotaç, Nehat Thaçi (i pari djathtas).

Megjithatë, kjo rritje e eksportit nuk është reflektuar në ulje të çmimeve për konsumatorët vendorë.

Edhe pse në treg ka prodhime vendore, çmimet mbeten të larta për standardin e shumë qytetarëve, me pagë mesatare prej 639 eurosh.

Gjatë muajve të verës, çmimet për një kilogram speca arrijnë deri në 1.50 euro, domatet deri në 1.20 euro, trangujt mbi 1 euro, ndërsa patatet pak më lirë – çmime që ndryshojnë varësisht nga lokacioni apo dyqani.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU