AKB: Investitorët e huaj as nuk pyesin të vijnë në Kosovë pas gjithë këtyre ngërçeve politike

AKB: Investitorët e huaj as nuk pyesin të vijnë në Kosovë pas gjithë këtyre ngërçeve politike

Ekonomia August 12, 2025 - 08:17

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) vlerësoi se mungesa e qeverisjes funksionale, çmimet e larta të energjisë dhe mungesa e sigurisë juridike e bëjnë Kosovën joatraktive për investime, duke thelluar edhe më tej varfërinë dhe pasigurinë politike.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se investitorët e huaj as nuk pyesin të vijnë në Kosovë pas gjithë këtyre ngërçeve politike

“Kosova do të ketë rënie ekonomike të BPV-së në krahasim me vitin e kaluar diku rreth 3 për qind. Kjo na varfëron më shumë, edhe pse jemi vendi i dytë më i varfër në BE dhe në Evropë, kështu po vazhdojmë edhe më shumë. Bizneset janë shumë të dëmtuara, investitorë të huaj nuk kemi dhe as nuk pyesin të vijnë në Kosovë pas gjithë këtyre ngërçeve politike dhe gjithë atyre protestave për energji elektrike. Tashmë nuk kanë për çka të vijnë. Kosova nuk është më atraktive me asgjë që e nxit një investitor të vijë. Nuk kemi Qeveri, Kuvend, kemi pasiguri juridike, energjinë e kemi më të shtrenjtën në Evropë. Kjo e paraqet Kosovën si një vend jo miqësor për biznes dhe për investime. Sa më shpejt konstituimi i Kuvendit, do të kthehet vëmendja nga Kosova edhe te investitorët e huaj. Na kanë ikur investitorët vendorë edhe këtë vit. Të gjitha këto po na bëjnë më shumë të varfër, shtet jostabil që nuk promovon siguri, por varfëri dhe pasiguri politike. Kjo e çon Kosovën të jetë një vend jo i përshtatshëm për investime”, theksoi Shahini.

Shahini tha se Kosova ka humbur mbi 880 milionë euro fonde të dedikuara nga Bashkimi Evropian dhe janë pezulluar projekte të rëndësishme infrastrukturore.

“AKB-ja ka paralajmëruar vitin e kaluar se viti 2025 do të jetë viti zgjedhor dhe i krizave zgjedhore politike. Pas tentimit të konstituimit të Kuvendit kemi administratë pasive, kemi ndalesa të kontratave, shtyrje të kontratave, sidomos nga kontratat që prodhojnë zhvillim ekonomik të vendit, kemi ngërç ekonomik dhe politik. Mos të flasim për ngërçin diplomatik, sepse tashmë e dimë që Kosova është në një moratorium diplomatik dhe politik”, tha Shahini.

Ai shtoi se rreth 25 për qind e aktiviteteve të bizneseve prodhuese janë ndalur, ndërsa Kosova rrezikon rënie ekonomike 3 për qind të BPV-së, krahasuar me vitin e kaluar.

“Gjasat janë që Kosova të jetë në moratorium ekonomik për shkak se rreth 6 muajve të fundit rreth 25 për qind janë ndalur aktivitetet e bizneseve të prodhuesve vendorë. Po ashtu, humbjet janë po aq të larta saqë nuk mund të llogarisim a janë 300 milionë, ose 1 miliard, ose 1 miliard e gjysmë, për arsye se të gjitha ato burime financiare që kanë qenë të planifikuara për Kosovën, qoftë nga BE-ja për rritje dhe rimëkëmbje ekonomike, ato tashmë janë dedikuar për ndonjë shtet tjetër dhe Kosova i ka humbur ato dhe ato janë mbi 880 milionë euro. Po ashtu pjesë të tjera të fondeve jemi thuajse në humbje në shumë projekte infrastrukturore të cilat kanë qenë të planifikuara për t’u mbështetur nga fondet ndërkombëtare, janë suspenduar dhe janë ndalur tërësisht”, tha Shahini për Ekonominë Online.