
Në ndërtesën sociale me 25 familje në Malishevë përurohen masat e efiçiencës së energjisë
Në komunën e Malishevës u përuruan masat e efiçiencës së energjisë në ndërtesën sociale, ku jetojnë 25 familje, duke përfshirë tri gra kryefamiljare, financuar në kuadër të Pakos Emergjente të Bashkimit Evropian për Kosovën.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se ky investim është realizuar falë mbështetjes së BE-së, pas kërkesës së Qeverisë në vitin 2022 për t’u përballur me krizën energjetike.
Sipas saj, projekti ka për qëllim uljen e konsumit të energjisë në të gjitha shtresat e shoqërisë, ndërsa kursimi në këtë ndërtesë arrin në 79 për qind.
“Është kënaqësi që të përurohet investimi në banesën sociale që kemi mbrapa, ku jetojnë 25 familje të Malishevës, duke përfshirë edhe tri gra kryefamiljare. Në vitin 2022, kur kemi kërkuar ndihmë nga BE-ja për t’u përballur me krizën energjetike, ne kemi hasur në mirëkuptim dhe reagim të shpejtë si dhe bashkëpunim shumë të mirë në dizajnimin e projektit. Qëllimi ynë si qeveri ka qenë që të ulim konsumin e energjisë në të gjitha shtresat, edhe te popullata, edhe te bizneset. Kursimi i energjisë në këtë ndërtesë është 79 për qind të investimeve. Banorët do të kenë një ambient më të shëndetshëm pa myk, më të ngrohtë dimrit dhe më të freskët verës. Kjo është një ndër 28 ndërtesa në 13 komuna të Kosovës, projekt me financim të BE-së në kuadër të pakos emergjente prej 6 milionë euro, 90 për qind i financuar nga BE-ja dhe 10 për qind nga komunat. Ne si qeveri jemi shumë rehat që ta rrisim financimin për efiçiencën e energjisë”, tha Rizvanolli.
Përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi, tha se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar të mbështesë Kosovën në reformat dhe investimet e nevojshme për dekarbonizimin e sektorit të energjisë.
“Ne presim me padurim zbatimin e planit të rritjes, agjendës së reformave dhe planit të investimeve që do ta përshpejtojnë Kosovën dhe do ta lëvizin drejt një tranzicioni drejt energjisë së pastër dhe integrimit”, tha ai.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, e vlerësoi këtë projekt si një investim që rrit cilësinë e jetës së banorëve të kategorive sociale dhe ul ndjeshëm shfrytëzimin e energjisë, duke e cilësuar si “dy përfitime të jashtëzakonshme” për komunën.
“Sot e gëzojmë një privilegj, sepse po bëjmë përurimin e një objekti të kategorive sociale të popullsisë, e cila është shumë në nevojë. Ka rol të madh, sepse rrit cilësinë e jetës së banorëve të kategorisë sociale dhe zvogëlon shfrytëzimin e energjisë. Për ne janë dy benefite të jashtëzakonshme”, tha ai. /Eo