OEK-u do të dorëzojë padi në Gjykatën Supreme kundër shkyçjeve të bizneseve nga energjia
Foto: Laura Hasani

OEK-u do të dorëzojë padi në Gjykatën Supreme kundër shkyçjeve të bizneseve nga energjia

Ekonomia August 18, 2025 - 11:00

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, paralajmëroi se sot do të dorëzohet padi në Gjykatën Supreme, duke kundërshtuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për shkyçjen e qindra bizneseve nga rrjeti elektrik.

Ai tha se Oda Ekonomike e Kosovës do të përdorë hapësirën ligjore për të mbrojtur bizneset anëtare.

“Si Oda ne sot në emër të anëtarëve të OEK-ut do ta shfrytëzojmë rastin të shkojmë me kërkesë padi në Gjykatën Supreme, lënda është kompletuar, sot do të dorëzohet në administratën e Gjykatës Supreme. Do të kërkojmë të drejtën që na njeh ligji, në emër të bizneseve. Ne si OEK nuk e kemi gëzuar të drejtën për të shkuar në Gjykatë Komerciale në emër të bizneseve, por në Gjykatën Supreme kemi gjetur hapësirë ligjore që mundemi të shkojmë”, tha ai.

Rafuna tha se procesi është zhvilluar me veprime të kundërligjshme dhe të padrejta, të cilat sipas tij kanë dëmtuar rëndë ekonominë e vendit.

Rafuna për Ekonominë Online tha se ndërprerjet e bëra gjatë fundjavës i kanë ekspozuar bizneset si të ishin të paligjshme, gjë që, sipas tij, është e papranueshme.

“Në këtë proces kanë ndodhur shumë veprime të kundërligjshme, shumë veprime të pamenduara mirë dhe jo të drejta. Përveçqë të kundërligjshme dhe të dëmshme që i kemi arsyetuar shumë herë, nuk ka qenë e drejtë që energjia elektrike të ndërpritet ditën e shtunë kur është uikend e që biznesi të jetë deri sot pa energji elektrike dhe të mos ketë mundësi të bëjë asgjë. Gjatë uikendit na kanë informuar që me polici ju kanë shkuar, ju kanë krijuar një imazh shumë të keq sikur të jenë biznese kriminale, se jo biznese shumë të ndershme që kanë paguar tatim dhe çka ka pasur të bëhet një shkëputje e energjisë elektrike”, tha Rafuna.

Ai bëri të ditur se sipas të dhënave të OEK-ut deri më tani janë shkyçur nga energjia elektrike rreth 450 biznese dhe se pritet që numri të rritet.

“Deri tani të dhënat që i kemi janë rreth 450 biznese që janë shkyçur nga energjia elektrike. Pritet që sot të ketë edhe shkyçje të tjera sipas KESCO-s dhe ZRRE-së. Kërkesa jonë është që të pezullohen gjitha këto veprime dhe të mos i dëmtojnë më shumë bizneset dhe ekonominë e vendit”, tha Rafuna.

Ai shtoi se dëmet për bizneset janë të pariparueshme dhe akuzoi ZRRE-në për veprime të dhunshme.

“Sa u përket veprimeve të tjera, ne do të konsultohemi me bizneset gjatë këtyre ditëve dhe do të shohim se cili do të jetë reagimi i bizneseve. Por, dëmi që u ka shkaktuar bizneseve është i pariparueshëm, me veprime të kundërligjshme, me veprime të dhunshme të ZRRE-së. Edhe heshtja e Qeverisë kundrejt këtij problemi kaq të madh, kaq të ndjeshëm dhe kaq të rëndësishëm jo vetëm për ekonominë dhe biznesin, por edhe për qytetarët e Kosovës është e padrejtë”, tha ai.

ZRRE-ja ka njoftuar se nga e shtuna (16 gusht) ka filluar shkyçjen nga rrjeti për të gjitha bizneset që i plotësojnë kushtet për të dalë në treg të hapur të energjisë nëse ato nuk kanë lidhur kontratë me furnizues. Ky vendim erdhi pasi që Shkalla e Dytë e Gjykatës Komerciale i ka dhënë të drejtë ZRRE-së në lidhje me liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.

Vendimi për liberalizimin e tregut ka hyrë në fuqi më 1 qershor 2025, sipas të cilit të gjitha kompanitë me më shumë se 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro në vit janë të obliguara të kalojnë në tregun e hapur.

Për të mos mbetur pa energji gjatë kësaj periudhe tranzitore, bizneset u furnizuan përkohësisht nga KEK-u si Furnizues i Mundësisë së Fundit.