
OEK-u dhe prodhuesit ritheksojnë kërkesën për pezullimin e detyrueshëm të daljes në tregun e lirë të energjisë
Oda Ekonomike e Kosovës së bashku me Shoqatën e Prodhuesve të Kosovës në kuadër të saj, kanë shprehur shqetësimin e thellë lidhur me faturat e energjisë elektrike të muajve të fundit, të cilat sipas tyre po shndërrohen në një barrë të papërballueshme për sektorin prodhues.
Në kumtesën e lëshuar për media thuhet se që nga dita e parë, Oda Ekonomike e Kosovës së bashku me Shoqatën e saj Prodhuese, ka ngritur zërin publikisht dhe institucionalisht se dalja e detyrueshme e prodhuesve në tregun e lirë do të rezultojë me çmime të papërballueshme për bizneset. Sot, fatkeqësisht, po vërtetohet pikërisht ajo për të cilën kemi paralajmëruar.
Njoftimi i plotë, pa ndërhyrje:
Oda Ekonomike e Kosovës së bashku me Shoqatën e Prodhuesve të Kosovës në kuadër të saj, shprehin shqetësimin e thellë lidhur me faturat e energjisë elektrike të muajve të fundit, të cilat po shndërrohen në një barrë të papërballueshme për sektorin prodhues.
Që nga dita e parë, Oda Ekonomike e Kosovës së bashku me Shoqatën e saj Prodhuese, ka ngritur zërin publikisht dhe institucionalisht se dalja e detyrueshme e prodhuesve në tregun e lirë do të rezultojë me çmime të papërballueshme për bizneset. Sot, fatkeqësisht, po vërtetohet pikërisht ajo për të cilën kemi paralajmëruar.
Sipas të dhënave zyrtare:
Bizneset prodhuese të obliguara të furnizohen në tregun e lirë kanë paguar 162 €/MWh në qershor 2025 dhe 203 €/MWh në korrik 2025.
Në të njëjtën periudhë, konsumatorët në furnizim të rregulluar kanë paguar vetëm 65–75 €/MWh.
Ky dallim i pajustifikuar, mbi 3 herë më i lartë për prodhuesit, ka sjellë pasoja të rënda për konkurrueshmërinë e fabrikave tona dhe i ka vendosur prodhuesit kosovarë në pozitë të pabarabartë në raport me sektorët e tjerë të brendshëm dhe konkurrentët rajonalë.
Në kulmin e verës, kur normalisht pritet ulje e çmimeve, faturat e prodhuesve janë rritur në nivele rekord. Kjo ngre alarmin se në periudhën e dimrit, kur konsumi dyfishohet, çmimet mund të kalojnë edhe 300 €/MWh, duke shkaktuar pasoja të pariparueshme si:
Mbyllje të fabrikave,
Humbje të mijëra vendeve të punës,
Rrëzim të prodhimit vendor dhe rritje të varësisë nga importet.
Për këto arsye, Oda Ekonomike e Kosovës me Shoqatën e saj të Prodhuesve të Kosovës ritheksojnë me ngulm kërkesën për pezullimin e menjëhershëm të daljes së detyrueshme në tregun e lirë. Ky është hapi i vetëm i drejtë dhe i domosdoshëm për të mbrojtur prodhimin vendor dhe për të shmangur një krizë ekonomike të shkaktuar nga faturat e energjisë.
Energjia elektrike nuk është thjesht një produkt tregu, është faktori themelor për mbijetesën e industrisë vendore. Pa ndërhyrje të shpejtë, rrezikohet seriozisht baza prodhuese dhe e ardhmja ekonomike e vendit. /Zëri