1.50 centë kilogrami, qytetarët ankohen për çmimin e specave
Foto: Laura Hasani

1.50 centë kilogrami, qytetarët ankohen për çmimin e specave

Ekonomia September 01, 2025 - 08:16

Nga shtatori për shumë qytetarë të Kosovës nis sezoni i përgatitjes së turshive për dimër.

Tradita e konservimit fillon me blerjen e specave, që tashmë ka hyrë në treg.

Por këtë vit çmimet e tyre për disa familje po konsiderohen të larta.

“Specave unë nuk e di, në ymër temë, 80 vjet i kom, spec 1 kilogram 1.50 ymër tem ble s’e kom. Ja u kanë 20 centë, 50 centë, hajde deri në 60 centë. E 1.50 një kilogram spec jo bre pasha zoten”, shprehet një qytetar.

“Po qashtu po i shoh unë, por edhe këta kanë qejf me bo një fitim pak…Tash pak ma shtrenjtë, vjet janë kanë ma lirë”, thotë Xhemile Krasniqi.

E sipas një qytetare tjetër, çmimet e specave po janë më lirë në markete se sa në treg.

“Unë specat i kom marr në market për turshi… ka 99 centë të mrekullishëm. Po po ma lirë, 99 cent ka qenë kilogrami edhe të mirë super”, thotë Fefzie Dauti për Teve1.

Po sipas Beqir Avdiut, shitës në Tregun e Gjelbër në Prishtinë, çmimet janë të njëjta me vitin e kaluar.

“Çmimet janë, mundem me thonë shumë normale, duke fillu prej sumborkave. Është veç fillimi i sezonit. Prej 1 shtatorit veç hyjmë në sezonin e turshive…Sumborka klasa e parë është dikun 1.50 euro kilogrami ma e mira se thonë na. Edhe vjet ka qenë kështu, nuk ka as me thonë as një rritje hiq”, shprehet Beqir Avdiu.

Për rritje të çmimeve në këtë periudhë kishte pasur ankesa nga qytetarët edhe viteve të kaluara.