Vizioni për bashkimin dhe fuqizimin e grave rurale

Vizioni për bashkimin dhe fuqizimin e grave rurale

Ekonomia September 16, 2025 - 11:20

Në Prishtinë u mbajt Konferenca Rajonale për Fuqizimin e Grave Rurale në Ballkanin Perëndimor, e cila synon të ofrojë një hapësirë gjithëpërfshirëse për diskutim mbi sfidat dhe mundësitë në fushën e fuqizimit social dhe ekonomik të grave rurale në rajon.

Magbule Hyseni, koordinatore nacionale e platformës për Kosovë, tha se gratë rurale në rajon përballen me vështirësi të shumta.

“Gratë rurale në Ballkanin Perëndimor përballen me sfida të përbashkëta, qasje të kufizuar në tokë, resurse financiare, tregje dhe vendimmarrje. Megjithatë, ato mbeten shtylla kryesore e shoqërisë dhe e komuniteteve tona, ushqejnë familjet, mbajnë gjallë ekonominë rurale dhe ruajnë traditat e trashëgiminë kulturore. Përmes kësaj platforme, ne kemi krijuar një hapësirë unike bashkëpunimi ku zërat e grave nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina bëhen më të fuqishme së bashku. Ky bashkëpunim rajonal është një shembull konkret se si solidariteti, përvoja e ndarë dhe mbështetja reciproke mund të shndërrohet në politika më të mira dhe ndryshime të prekshme në jetën e grave”, tha ajo.

Ndërsa, Venera Çerkini, sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, foli për hapat që janë ndërmarrë në Kosovë për fuqizimin e grave në fshatra.

Ajo tha rreth 20 për qind të pronave në Kosovë janë në emër të grave.

“Përmes politikave afirmuese është lehtësuar qasja e tyre në grante e subvencione duke vlerësuar kontributin e aftësitë e tyre. Kemi krijuar politika të qarta dhe mbështetje konkrete për gratë rurale. Janë vendosur një sërë mekanizmash mbështetës që ju japin grave më shumë mundësi për investim, ngritje të kapaciteteve profesionale dhe përfshirje në zinxhirin e vlerës bujqësore. Sigurisht që edhe sfidat ekzistojnë, një nga sfidat si pronësia dhe qasja në financa, pavarësisht që ligjet tona garantojnë të drejta të barabarta të trashëgimisë vetëm rreth 20 për qind të pronave në Kosovë janë në emër të grave. Presioni shoqëror, normat tradicionale dhe praktikat konservative e bëjnë të vështirë qasjen në kredi sepse shumica e bankave tona për kolateral kërkojnë pasuri të patundshme. Një sfidë është edhe punësimi edhe ekonomia rurale,” tha ajo.

Koordinatorja rajonale e platformës, Biljana Petrovska- Mitrevska, prezantoi synimet dhe vizionin e platformës për fuqizimin e grave në rajon.

“Platforma synon promovimin e barazisë gjinore, avancimin ekonomik të grave dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrje. Vizioni ynë mbetet bashkimi dhe fuqizimi i grave rurale, ndërsa si strategji përfshihet lobimi dhe barazia gjinore,” shtoi ajo. /eo