
Qeveria bart mjetet për përfituesit nga subvencionimi për efiçiencë të energjisë
Qeveria në detyrë ka miratuar bartjen e 904 mijë eurove nga Pakoja për përballje me krizën energjetike, pasi më parë kishte pranuar mjetet nga Bashkimi Evropian për ta përmbyllur me sukses disbursimin e fondeve në kuadër të Pakos së Mbështetjes Energjetike (IPA 2023).
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi se me ndarjen e këtyre mjeteve do të bëhet disbursimi i subvencioneve për pajisje efiçiente ngrohëse nga thirrja e fundit, që tashmë janë trajtuar dhe miratuar nga Ministria e Ekonomisë dhe trajtimi i listës së pritjes së thirrjes së fundit për izolim të shtëpive nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.
“Ministria e Ekonomisë dhe Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë do të ndërmarrin hapat e mëtejmë për këto procese në kohën më të shkurtër të mundshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë, transmeton Zeri.info.
Tutje thuhet se, prej vitit 2022, fillimisht përmes masave të Ministrisë së Ekonomisë e tutje me mbështetje të Bashkimit Evropian, janë përkrahur mbi 43 mijë familje dhe biznese me mbi 19.6 milionë euro, duke ulur kostot e energjisë dhe përmirësuar kushtet e jetesës në mbarë vendin.
“Ministria e Ekonomisë falënderon Bashkimin Evropian për partneritetin e vazhdueshëm dhe besimin që e bën të mundur realizimin e programeve të tilla, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë”, thuhet në njoftim. /Zëri