
Bie numri i përfituesve të ndihmës sociale, rritet numri i pensioneve bazike dhe të veteranëve
Në disa skema të pensioneve ka pasur rënie e në disa të tjera rritje të numrit të përfituesve, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës për muajin gusht të këtij viti.
Rënie e përfituesve nga skemat e pensioneve, krahasuar me një vit më parë, ka pasur: skema për pensionet invalidore (-22,0%); skema për pensionet e “Trepçës” (-19,8%); skema e ndihmës sociale (-13,1%); skema për pensionet familjare (-9,1%); skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës (-2,2%); skema e pensioneve kontribut-paguesve të moshës (-1,5%); skema e kompensimeve për personat e verbër (-0,1%).
Ndërsa rritje e përfituesve nga skemat e pensioneve, krahasuar me një vit më parë, kishte rritje të numrit të përfituesve nga: skema për Pensionet Paraplegjike dhe Tetraplegjike (11,7%); skema për përkrahje financiare familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara (11,6); skema e pensioneve bazike të moshës (5,8%); skema e pensioneve të Forcës së Sigurisë së Kosovë (6,4%); skema e kompensimit për punëtorët e arsimit që punuan gjatë vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 (5,0%); skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara (3,7%); skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) (2,0%); skema për veteranët e luftës (0,5%). /Zëri
