
Nisin hetimet për importin e energjisë, thotë Hykmete Bajrami
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se pas ankesës së dërguar në Komunitetin e Energjisë në Vjenë, si dhe Zyrën e Rregullatorëve të Energjisë në Lubjanë, kanë nisur hetimet për importin e energjisë në Kosovë.
Bajrami ka njoftuar se me ankesën që kanë dërguar, kanë kërkuar hetime veçanërisht për kostot e transportit dhe mosrespektin e rregullores REMIT.
“Pretendimet tona për keqpërdorim në fushën e importit të energjisë kishin bazë dhe tani kanë marrë vëmendje ndërkombëtare”.
“Fakti që hetimet kanë nisur nga vetë ZRRE-ja është rezultat i metodës së punës së institucioneve të lartpërmendura, ku hetimet në shtetet e caktuara i zhvillojnë nëpërmjet zyrave rregullatore të shteteve përkatëse, në këtë rast Kosovës”.
“Me implikimin edhe të ndërmarrjeve si KOSTT, KEK si dhe vetë ZRRE-së, presim të nisin hetimet sa më parë edhe nga Prokuroria Speciale në Kosovë, e cila ka pranuar dosjen përkatëse'', shkroi Bajrami në Facebook. /Zëri