“Islamic Relief Kosova” ndan grante prej 5 mijë eurosh për startupe të reja, shumica për nëna vetushqyese

“Islamic Relief Kosova” ndan grante prej 5 mijë eurosh për startupe të reja, shumica për nëna vetushqyese

Ekonomia September 29, 2025 - 11:24

Është mbajtur ceremonia e shpërndarjes së granteve në vlerë prej 5 mijë eurosh nga “Islamic Relief Kosova”, si ndihmë për hapjen e startupeve të reja, ku pjesa më e madhe e përfituesve ishin nëna vetushqyese.

Ky projekt përfshin dhënien e 10 granteve si pjesë e programit të “Islamic Relief” dhe dy granteve shtesë që janë rezultat i një bashkëpunimi me Komunën e Lipjanit.

Qëllimi i këtyre granteve është që të fuqizojë individët dhe familjet me përkrahje ekonomike, duke krijuar mundësi reale për zhvillim të qëndrueshëm dhe vetëpunësim, veçanërisht në zonat rurale.

Drejtori i vendit të “Islamic Relief Kosova”, Muhamed Soliman, në fjalën e tij tha se për të ishte kënaqësi që t’i dorëzojë këto mbështetje gjeneratës së re të zhvilluesve.

“Unë isha i angazhuar me aktivitete të tjera, por kur bëhet fjalë për ndarjen e kuponëve për pronarët e këtij projekti, në fakt, për gjeneratën e re të zhvilluesve, është kënaqësi për mua t’ua dorëzoj kuponët atyre. Dhe meqenëse jam këtu, do të doja të shpreh një falënderim të veçantë dhe të madh për profesoreshën Bjurza për punën e saj të shkëlqyer”, tha Solimani.

Zëvendësdrejtoresha e “Islamic Relief Kosova”, Albulena Gashi-Hajrullahu, tha se ky projekt përfaqëson guximin dhe ëndrrat e njerëzve që besojnë në idetë e tyre.

“Ky event që mbledh njerëz të guximshëm, njerëz që besojnë në ide dhe njerëz që besojnë që mund të ndryshojnë botën. Sepse duke filluar me startup kaq të vogël ne besojmë që do të kemi hapa pas hapi të bëjmë diçka më të mirë për ndërmarrësi. Sepse ne të gjithë e dimë që startup nuk janë veç biznes, ato janë ëndrra, përpjekje për guxim për të filluar diçka të re, diçka nga asgjëja. Pikërisht këtu qëndron forca e një gruaje, të krijojë vlera të reja për shoqërinë, ekonominë dhe komunitetin tonë. Si organizatë ne gjithmonë jemi afër jush në çdo sferë, jo vetëm në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, por edhe në shëndetësi, edukim, në bujqësi, në të gjitha sferat ku ne besojmë që mund ta prekim komunitetin tonë”, tha ajo.

Ndërkaq profesoresha Vjosa Fejza Ademi, në cilësinë e trajnueses në këtë projekt, tha se përfitueset kryesore të kësaj radhe kanë qenë nëna vetushqyese.

“Në këtë radhë të dytë i kemi pasur kategoritë që është kategori e ndjeshme e shoqërisë sonë, nënat vetushqyese ku nga kjo kategori kanë përfituar edhe ato ide të cilat ato kanë pasur dhe kanë qenë 6 nga to që kanë fituar dhe janë shpërblyer me grante në vlerë prej 5 mijë euro që i mbështet dhe kanë filluar që t’i realizojnë ëndrrat e tyre. Shpresoj shumë që edhe këto ide biznesi sikurse ato të para dy vitesh që kanë fituar dhe shumica prej tyre vazhdojnë që të lulëzojnë në treg dhe të rriten edhe këto biznese të rriten dhe të krijojnë edhe vende të punës të reja qoftë për të rinjtë, por edhe për nënat e tjera vetushqyese”, tha ajo.

Përfaqësuesi nga Komuna e Ferizajt, Kemail Emini, falënderoi “Islamic Relief” për ndihmën e dhënë në shumë fusha.

“Falënderim dhe vetëbesim nga banorët e Ferizajt për gjithçka që ka bërë “Islamic Relief” për qytetin tonë, si në shëndetësi, për familjet në nevojë, jetimët dhe çdo sektor tjetër”, tha ai.

Ndërsa përfaqësuesi nga Komuna e Lipjanit, Valon Pacolli, vlerësoi bashkëpunimin dhe shprehu pritjet për suksesin e granteve të shpërndara.

“Ju falënderojmë për këtë mundësi që ia keni dhënë komunës së Lipjanit që me ju bashkëngjit këtij projekti, uroj që këto grante që sot po shpërndahen të shërbejnë si storie suksesi për të ardhmen”, tha ai. /EO

Image

Image