
Kuvendi i Rahovecit miraton buxhetin për vitin 2026 në vlerë prej mbi 21 milionë eurove
Në mbledhjen urgjente të mbajtur të hënën, Kuvendi Komunal i Rahovecit ka miratuar buxhetin për vitin 2026 me 15 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se ky buxhet është dokumenti më i rëndësishëm për të mirën e qytetarëve dhe se është përgatitur në bazë të kërkesave ligjore dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Financave.
“Miratimi i buxhetit është vepra më e rëndësishme dhe kryesorja për të mirën e qytetarit. Ky buxhet është planifikuar në bazë të standardeve të kërkesave ligjore dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Financave. Buxheti është i qytetarëve të komunës, sepse nëpërmjet shpërndarjes së këtij buxheti ne veprojmë në përputhje me vendimin që merr Kuvendi”, deklaroi Latifi.
Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë së Financave në Komunën e Rahovecit, Afrim Limani, tha se buxheti i planifikuar për vitin 2026 kap vlerën e mbi 21 milionë eurove dhe përfshin 48 projekte kapitale, mes tyre edhe tetë projekte të reja.
“Buxheti i komunës së Rahovecit për vitin 2026 në total është prej 21 milionë e 547 mijë e 734 euro. Ne në dëgjimet tona buxhetore që kemi mbajtur dy herë, sipas ligjeve, krejt këto kërkesa që kanë dalë nga qytetarët janë të involvuara në projekte kapitale që në total janë diku 48 projekte, nga to i kemi edhe 8 projekte të reja që kanë qenë në planin e prokurimit”, theksoi Limani. /eo