
Ish-kryetari i pensionistëve lutje politikanëve që t’i krijojnë institucionet: Me inate shtëpia nuk mbahet
Ish-kryetari i Shoqatës së Pensionistëve, Njazi Gashi, ka numëruar problemet me të cilat po përballen ata, duke thënë se në këtë po kontribuon edhe çështja e moskrijimit të institucioneve të Kosovës.
Derisa sa flet për mungesën e kujdesit që qeveria nuk e bëri asnjëherë karshi tyre, Gashi ka lutur politikanët për vetëdijesim dhe të lënë anash inatet dhe siç tha ta thërrasin mendjen.
“Ne lutemi që politikanët tanë të vetëdijesohen dhe të dinë që nuk shkon kështu, me inate shtëpia nuk mbahet por le t’i thërrasin ndërgjegjes dhe mendjes dhe të marrin situatën në duar bashkërisht, jo vetëm dikush të organizojnë zgjedhje të reja, të formojnë qeverinë dhe mos të na humbin kohë sepse përkundër të tjerët që mund të mbijetojnë diçka kjo janë kategoria më fragjile e shoqërisë tanë”, shtoi ai.
Ai e ka përshkruar gjendjen e pensionistëve si “të mjerë”.
Madje Gashi tha se 120 euro pension sa kanë ata, me rritjen e çmimeve nuk mund t’ia dalin as për 10 ditë shpenzime personale.
“Gjendja ekonomike sociale e pensionistëve të Kosovës është e mjerë, është në gjendje shumë të keqe tani po i afrohemi edhe sezonit dimëror, i cili ka shpenzimet e veta rutinore që janë nxemja, blerja e rrobave, librave, fletoreve dhe normalisht që është shumë e keqe. Problemi më i madh është që nuk po merret askush me ta. Ju e dini që në këtë vit qeveria i ka dhënë ka 20 euro shtesë në pensione bazike dhe ka shkuar në mënyrë lineare për të gjitha kategoritë, gjë që nuk është në rregull për arsye se sipas nenit 40 të ligjit mbi pensionet të Kosovës duhet mu bo vlerësimi në fund të çdo fundviti i kostos cilësore dhe indeksit të kostos jetësore dhe duhet mu rrit pensionet. Ata nuk e kanë nuk e kanë bërë një gjë të tillë dhe ata mendojnë me na hedh hi syve me 20 për qind që i kanë rrit pensionet dhe duhet me qenë të kënaqur. Por me këtë standard dhe me këtë ngritje çmimesh që ka ndodhë sidomos kohëve të fundit, ju jeni dëshmitar që ne pensionistët të cilët marrim pension bazik prej 120 eurove nuk mund t’ia del as për 10 ditë shpenzime personale se lërë të tjera”, tha ai për Ekonomia Online.
Gashi i nervozuar tha se si me qeveri si pa qeveri, kjo pasi që siç thotë ai edhe ashtu asnjëherë nuk patën vëmendjen e qeveritarëve.
“Për neve pensionistët si ke qeveria si nuk ke. Bile ma mirë po ndihemi tash që nuk është sepse nuk kemi fare shpresë që dikush ka mu marr me neve, e atëherë shpresonin dhe zhgënjeheshim sepse nuk merreshin me neve dhe kështu jemi në një vend që vetëm po rrëshqasin. Ju jeni dëshmitarë që çmimet janë dyfishu prej vitit të kaluar shumica e artikujve themelor të jetës çmimi i tyre është dyfishu nëse ata kanë mundur me ble gjëra për ushqim dhe për higjienë, ata tani nuk kanë shansa as të mendojnë për ato gjëra sepse nuk kanë me çka 120 euro janë, duhet me pagu tatim në qera apo duhet me pagu rrymë, ujin, mbeturinat e të tjera dhe ku me mbet para pastaj për me mujt me u ushqy. Jo nuk mjafton as 1 të 4 e gjërave bazike të ushqimit, vetëm ushqimin e thjeshtë nuk e mbulon”, tha ai.
Në janar të vitit 2025 qeveria e Kosovës ka miratuar rritjen e pensioneve për të gjitha kategoritë e dala nga lufta e fundit në Kosovë, për 20 për qind.
Ndërsa në tetor të vitit 2024 qeveria ka rritur pensionet nga 100 në 120 euro, vendim ky që u zbatua po atë muaj.